Mazhoranca socialiste propozon zyrtarisht ndryshimin e 5 ligjeve në drejtësi, me qëllim uljen e pirgut të dosjeve që presin prej vitesh shqyrtimin në Apel.
Kështu është shprehur në emisionin “Ekspres” të drejtuar nga gazetari Nolian Lole, kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka, e cila u shpreh se miratimi i nismave të depozituara nga mazhoranca kërkon konsensus më të gjerë me qëllim uljen e dosjeve të pagjykuar nga gjykatat.
Më konkretisht, deputetja socialiste kërkon ndryshimin e Kodit të Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, dhe ligjin për gjykatat administrative.
“Është një nisëm e gjerë e institucioneve të drejtësisë e cila vjen në kuadër të zbatimit të një strategjie për uljen e çështjeve të mbartura në gjykata. Kryesish fokusi i kësaj nisme ka si qëllim gjykimet administrative në shkallën e dytë, pra në gjykatën e Apelit. Një grup pune i përberë nga ekspert të drejtësisë së bashku me partnerët ndërkombëtar , në drejtimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë kanë bërë studim se si mund të ulin numrin e çështjeve nëpër gjykata”.
Në cilësinë e kryetares së Komisionit Parlamentarë të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Bushka tha se pesë nismat i shërbejnë direkt interesit qytetar.
“Është bërë një strategji e cila është publike dhe miratuar nga organet përkatëse dhe në vijim të saj janë pesë nisma për të pasur disa ndryshime në disa ligje që kanë të bëjnë me; Kodin e Procedurës Civile, Ligji për Ndryshimin Administrative, Ligji për Pushtetin Gjyqësor, Ligji për Organet e Qeverisjes dhe Kodi i Procedurës Penale. Në themel të së cilave qëndron lehtësimi i procedurave të gjykimeve për çështjet e thjeshta, krijimi i mundësive për më shumë burime njerëzore në gjykata në mënyrën që çështjet e mbetura , do të mundet që me këto ndryshime të propozuara nëse miratohen qytetarët do kenë zgjidhje më shpejt të problemeve të tyre.”
Më tej deputetja socialiste është ndalur në atë që ajo e ka quajtura një arritje historike sikurse është krijimi i mundësive për Diasporën shqiptare që të marr pjesë në procesin e votimit më 11 Maji.
Bushka e vlerësoi sesionin e gjashtë të Legjislaturës së dhjetë si një sesion të suksesshëm pavarësisht debateve politike. Janë bërë punë shumë të mira në interes të qytetarëve shqiptare gjatë sesionit të kaluar parlamentare-tha ajo.
“Ky ishte sesioni që ka firmosur buxhetin më të lartë që ka kaluar qeveria shqiptare, edhe pse kemi kaluar katër kriza; si tërmetin, pandeminë, krizën energjetikë dhe rritjen e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë. Buxheti vjen me rritje pagash në administratë, arsim, vjen me bonos të shtuara për pensionistët por dhe një rritje të pensionit të tyre në të ardhmen. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për shteti tonë, që shqiptarët atje ku ata ndodhen të marrin pjesë në proceset integruese të vendit. Kjo nënkupton dhe ndryshim në frymë për politika të reja që do ndiqen për ti ardhur në ndihmë atyre sepse ata nuk do jenë thjesht votues por dhe garues për zgjedhjet e ardhshme. Ne si mazhorancë kemi si qëllim që ti ftojmë që të kthehen në Shqipëri sepse kushtet tashmë ekzistojnë dhe nuk është më Shqipëria e asaj kohe që ata e lanë.
Në këtë kuadër Kreu i komisioneve të Ligjeve u shpreh për gjetjen e një dakordësia politike për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor për ta bërë me efecientë votën e diasporës.
“Shpresoj që sot ose nesër do të depozitohet një nismë e konsultuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe e dakordësuar nga aktorët politik e cila do ti mundësoj KQZ-së që të jetë më efektive në dërgimin e listave para afatit që parashikon kodi sot, duke i shtuar dhe dhjetë ditë. Kjo do të bëjë që gjithë procesi teknik , dërgimi dhe marrja e fletës së votimit në KQZ për efekt numërimi të jetë i realizueshëm. Sepse shqetësimi KQZ-së është se nuk arrijnë koha për të marr të gjitha fletët e votimit nisur nga logjistika dhe afatet e postës.”
Më tej ajo tha se ajo që është dakordësuar deri tani është mbulimi financiar për të gjithë procesin e dërgimit të fletës së votimit dhe marrjen nga votuesi, të mbulohet nga shteti. kjo është parashikuar në buxhetin e 2025 por kërkohet dhe një korrigjim nga Kodi Zgjedhor.
Besoj se dakordësia do të gjendet për ta bërë më efektive këtë të drejtë që i është dhënë diasporës dhe vota e saj të jetë efecientë.
/rtsh.al/