Udhëheqës nga e gjithë bota kanë uruar Donald Trump për rikthimin në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu falënderoi Trump “për përpjekjet” për të ndihmuar në çlirimin e pengjeve izraelite.
"Unë besoj se duke punuar përsëri së bashku ne do ta ngremë aleancën SHBA-Izrael në lartësi edhe më të mëdha. Në emër të popullit të Izraelit, dua gjithashtu t'ju falënderoj për përpjekjet tuaja për të ndihmuar në çlirimin e pengjeve izraelite. Mezi pres të punoj me ju për të kthyer pengjet e mbetura, për të shkatërruar aftësitë ushtarake të Hamasit dhe për t'i dhënë fund sundimit të saj politik në Gaza dhe për të siguruar që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin", shkroi Netanjahu.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdoan e vuri theksin se lufta Rusi-Ukrainë, për të cilën Trump ka deklaruar vazhdimisht se do t’i japë fund. Erdogan shkruan se Turqia është e gatshme të ndihmojë për zgjidhjen e kësaj ccështje.
"Meqë zoti Trump tha vazhdimisht se do t'i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë, ne si Turqi do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme në këtë drejtim. Duhet ta zgjidhim këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo çështje do të jetë në axhendën tonë me bisedimet tona me Z. Trump, dhe ne do të ndërmarrim hapat tanë në përputhje me këtë. Do të doja që mandati i dytë i zotit Trump të sillte të mira për të gjithë njerëzimin", tha Erdogan.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz e konsideroi SHBA një aleat të ngushtë, duke theksuar qëllimin e politikës gjermane për një marrdhënie të mirë transatlantike.
"Sot presidenti Donald Trump merr detyrën. Urime! SHBA është aleati ynë më i ngushtë dhe qëllimi i politikës sonë është gjithmonë një marrëdhënie e mirë transatlantike. BE, me 27 anëtarë dhe më shumë se 400 milionë njerëz, është një bashkim i fortë", theksoi Scholz.
Justin Trudeau, kryeministri kanadez e konsideron partneritetin me SHBA si “më të suksesshmin në botë”.
"Urime, President Trump. Kanadaja dhe SHBA kanë partneritetin ekonomik më të suksesshëm në botë. Ne kemi shansin të punojmë përsëri së bashku, për të krijuar më shumë vende pune dhe begati për të dy kombet tona”, shkruan Trudeau.
Keir Starmer, kryeministri britanik shkroi: "Për shekuj me radhë, marrëdhënia midis dy kombeve tona ka qenë një marrëdhënie bashkëpunimi dhe partneriteti të qëndrueshëm. Së bashku, ne kemi mbrojtur botën nga tirania dhe kemi punuar drejt sigurisë dhe prosperitetit tonë reciprok."
"Me përzemërsinë e gjatë të Presidentit Trump dhe lidhjet historike me Mbretërinë e Bashkuar, e di se thellësia e miqësisë do të vazhdojë."
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE “pret me padurim” të punojë me Trump për të trajtuar sfidat globale.
"Urimet më të mira Presidentit Donald Trump, për mandatin tuaj si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. BE pret me padurim të punojë ngushtë me ju për të trajtuar sfidat globale. Së bashku, shoqëritë tona mund të arrijnë prosperitet më të madh dhe të forcojnë sigurinë e tyre të përbashkët. Kjo është forca e qëndrueshme e partneritetit transatlantik."
Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-S tha se vendet sëbashku mund të arrijnë paqen, nëpërmjet forcës.
"Me Presidentin Trump përsëri në detyrë ne do të rrisim shpenzimet e mbrojtjes dhe prodhimit. Urimet e mia të ngrohta për Donald Trump për inaugurimin e tij si Presidenti i 47-të i SHBA-ve, dhe për të JD Vance si Zëvendës President. Së bashku ne mund të arrijmë paqen nëpërmjet forcës - nëpërmjet NATO", tha ai.