Gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar përpara inaugurimit të Presidentit Donald Trump, një takim i rëndësishëm u mbajt midis Lulëzim Bashës dhe Dërguarit të Posaçëm Presidencial për Misione të Veçanta, Richard Grenell. Në këtë rast, u theksua rëndësia e marrëdhënieve të fuqishme mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u cilësuar këto të fundit si aleati dhe partneri strategjik më i rëndësishëm i shqiptarëve.
Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Basha shpreh gjithashtu edhe vëmendjen amerikane ndaj rajonit që mbetet një shtyllë e rëndësishme për forcimin e sigurisë dhe promovimit të paqes në Ballkan.
“Kënaqësi të bisedoja me Dërguarin e Posaçëm Presidencial për Misione të Veçanta, Richard Grenell, gjatë ceremonisë së veçantë të organizuar në prag të inaugurimit të Presidentit Trump. Për shqiptarët, SHBA-të mbeten aleati dhe partneri ynë strategjik. Forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit me to është një prioritet madhor.
Vëmendja amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme, veçanërisht për shkak të tendencave të vazhdueshme destabilizuese nga Rusia, e cila përdor aleatët e saj në Serbi dhe Republika Srpska, por edhe aktorë të caktuar politikë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Jam i bindur se Presidenti Trump dhe ekipi i tij do të mbështesin vendosmërisht prioritetet tona kombëtare, duke përfshirë përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi dhe përshpejtimin e integrimeve në institucionet euro-atlantike”, shkruan Basha.
/rtsh.al/