Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, gjatë fjalës së saj në hapje të sesionit të tetë të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë, falënderoi grupet parlamentare për bashkëpunimin e tyre për t'i dhënë mundësi diasporës që të marrë pjesë në procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare më 11 maj.
Spiropali tha se arritja më e madhe e legjislaturës aktuale është krijimi i mundësisë që pjesëtarët e diasporës të votojnë nga vendet ku ata qëndrojnë.
“Shumë ishte folur, por pak ishte bërë për jetërsimin e kësaj mundësie në procesin e zgjedhjeve parlamentare. Megjithatë, ajo që nuk ishte arritur për disa legjislatura, u realizua në këtë legjislaturë. Falënderoj të katër grupet parlamentare dhe të gjithë deputetët për mbështetjen e plotë të këtyre ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor. Me realizimin e tyre, iu përgjigjëm një nevoje të natyrshme të konsolidimit të demokracisë pjesëmarrëse, si dhe i kthyem diasporës shqiptare, emigrantëve të hershëm e të rinj, një “borxh” që ishte e padrejtë të mos ua shlyenim, politikisht, atdhetarisht dhe moralisht.
Ne ngushtuam “defiçitin demokratik” që ishte krijuar në sistemin tonë politik, mes kontributit të diasporës në zhvillimin e vendit dhe mosplotësimit të kushteve praktike të ushtrimit në praktikë të së drejtës për të votuar nga atje ku janë. Për më tepër që Shqipëria, prej fillimit të viteve '90, është ndër vendet me fluks të lartë emigrimi. Vëllezërit dhe motrat tanë emigrantë, në vendet fqinje, Itali dhe Greqi, në vendet e tjera të Bashkimit Europian, si Gjermani, Francë, Holandë etj., në Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada e deri në Australinë e largët, shquhen për punën e tyre të palodhur, integrimin e shpejtë e cilësor, marrëdhëniet e ngushta, miqësore e njerëzore me popullsitë vendase si edhe me institucionet në vendet pritëse.
Me mundësinë për të votuar në zgjedhjen për Kuvendin e Shqipërisë nga vendet ku jetojnë, emigrantët shqiptarë kanë tashmë më tepër hapësira për të marrë pjesë drejtpërsëdrejti në qeverisjen e vendit. Duke qenë një arritje e rëndësishme, kjo mundësi përbën edhe një sfidë të madhe në dy aspekte: Së pari, realizimin e këtij procesi nga sa më shumë pjestarë të diasporës. Sa më shumë të marrin pjesë në zgjedhje, aq më tepër kontribuojnë për Shqipërinë. Procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora për zgjedhjet e 11 majit, ka filluar në 11 janar dhe do të vazhdojë deri në 4 mars. Në cilësinë time si kryetare e Kuvendit u jam drejtuar disa herë komuniteteve shqiptare jashtë vendit të regjistrohen për të votuar, në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën dhe ndikimin e tyre në vendimmarrjet për punët tona të përbashkëta. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për një miliardë euro që vijnë çdo vit nga emigrantët, por edhe për qindra-mijëra votat e tyre, të cilat janë një investim i madh demokratik dhe na bëjnë të gjithëve, ne këtu në Shqipëri dhe emigrantët atje ku jetojnë, krenarë për Shqipërinë europiane,” u shpreh Spiropali.
Prioritet tjetër për Kuvendin, vijoi kryeparlamentarja gjatë fjalës së saj, është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
“Tashmë është një objektiv strategjik kombëtar. Ky është prioriteti numër 1 i Kuvendit të Shqipërisë deri në mbyllje të kësaj legjislature dhe do të jetë prioriteti numër 1 edhe i legjislaturës së ardhshme.
Le të bëjmë detyrat tona deri në fund për të mbyllur me sukses këtë legjislaturë edhe për realizimin e objektivave të integrimit europian dhe tia lehtësojmë punën Kuvendit të ri. Për të vijuar të udhëheqim me vendosmëri procesin e anëtarësimit dhe garantuar legjitimitetin demokratik si edhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit, të forcojmë e zgjerojmë bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe grupet e interesit për procesin e negociatave, si aktorë shumë të rëndësishëm në ecurinë e suksesshme të reformave të integrimit. Për forcimin e rolit ligjvënës në procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin evropian, të vijojmë praktikën e nisur për të lehtësuar konsensusin për miratimin e ligjeve, të cilat do të jenë kritere për hapjen dhe mbylljen e kapitujve si edhe për hartimin e pozicioneve negociuese të Shqipërisë.
“Të fuqizojmë rolin kontrollues dhe monitorues të procesit të negociatave dhe përmbushjes së detyrimeve në kuadër të procesit të anëtarësimit nëpërmjet Komisionit për Çështjet Europiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Në mënyrë që procesi i negociatave të mbështesë demokratizimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, të vijojmë me masat e përgatitjet që Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor të përshpejtojë zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies, kohezionin e gjithëpërfshirjen sociale dhe zbatimin e reformave për integrimin në tregjet europiane,” tha Spiropali.
/rtsh.al/