Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka rrëzuar 4 kandidatë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për vendin vakant të krijuar për shkak të dorëheqjes së gjyqtares, Elsa Toska.
Kandidatët e lënë jashtë garës janë: Eris Hysi, Sinan Tafaj, Klodian Rado dhe Gentian Zyberi.
KED, në mbledhjen e të hënës, në rendin e ditës kishte parashikuar prezantimin nga ana e relatorit, lidhur me ecurinë e procesit të verifikimit të disa kandidatëve, të cilët kanë konkurruar për t’u zgjedhur anëtar të Gjykatës Kushtetuese në vendin vakant të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë.
Relatorja e kësaj vakance e zgjedhur me short elektronik, paraqiti përpara anëtarëve të KED, disa nga gjetjet në lidhje me kandidatët që kanë aplikuar për vendin vakant.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e këtyre kandidaturave si edhe dokumentacionin e përgatitur nga relatori lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për kandidatët e përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi edhe mendimin e Avokatit të Popullit, lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e këtyre kandidaturave, vendosi ndalimin e kandidimit.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë pasur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta, ligji dhe aktet nënligjore. KED, nga ana tjetër, është duke vijuar me procedurat e komunikimit të vendimeve, për të cilat mund të ketë edhe ankime nga ana e kandidatëve.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, fton institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë KED.”, përfundon njoftimi për shtyp.
/rtsh.al/