RTSH 24 Live

Serbi

Zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Serbi shkakton 8 viktima, 7 të plagosur

7 orë para

Zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Serbi shkakton 8 viktima, 7 të plagosur

Një zjarr që përfshiu një shtëpi të moshuarish në komunën e Barajevës, pranë Beogradit, u mori jetën 8 personave dhe plagosi 7 të tjerë, thanë të hënën autoritetet në Serbi. Sipas tyre, të paktën 13 persona u evakuuan nga godina, ndërsa Prokuroria e Lartë Publike njoftoi se ka arrestuar tre persona si të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje. 

Katër nga të plagosurit janë në gjendje më të rëndë. "Policia, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, vijon punën intensive për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe fakteve të kësaj ngjarjeje”, - tha Ministria e Brendshme në një deklaratë.

Ministri i Çështjeve Sociale tha se sipas të dhënave paraprake bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme. Ai shtoi se shtëpia e të moshuarve kishte licensë të vlefshme pune dhe se plotësonte kërkesat për mbrojtjen nga zjarri.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë. Ai paralajmëroi se e mërkura do të shpallet ditë zie në nderim të viktimave.

Shërbimi zjarrfikës tha se në ndërtesë strehoheshin 30 persona. Barajeva është një nga 17 komunat e Beogradit dhe ndodhet në jugperëndim të kryeqytetit të Serbisë. Ndërkohë, një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe në Maqedoninë e Veriut. Një zjarr përfshiu një shtëpi të moshuarish në periferi të Kavadarit, por fatmirësisht nuk u regjistruan as viktima dhe as të lënduar.

/rtsh.al/