Opozita dhe maxhoranca kanë bashkuar votat në Kuvend, duke miratuar këtë të enjte (25 maj) projektligjet për rritjen e pagave, pjesë e paketës ligjore.
Me 95 vota pro dhe 2 kundër u miratua edhe projektligji për rritjen e pagave në institucionet e pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura. Me 97 vota pro dhe vetëm 2 kundër, u miratua pr.ligji për kompetencat për caktimin e pagave për të punësuarit në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi.
Po ashtu, me 93 vota pro u miratuan edhe ndryshimet në ligjin për “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që përfshinë rritjen e pagave të tyre.
Gjatë votimit, kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm, ndërsa në fjalën e tij në Kuvend ai u shpreh se nuk do ta votonte projektligjin, edhe pse theksoi se ishte dakord për piramidën e pagave.
"Unë nuk e votoj, duhet të votohet sot dhe duhet të hyjë në fuqi kur të rritet paga për të gjithë. Se nëse ne i themi se paga juaj do jetë e plotë e rritur dhe ne do e kemi pagën 900 euro në prill të viti të ardhshëm dhe për ministrat e deputetët duhet të hyjë në fuqi jo përpara këtij afati, përpara kësaj është e pamoralshme”, tha Rama.
Sipas ndryshimeve të miratuara, paga e Kryetarit të Kuvendit do të shkojë nga 229 mijë lekë që ishte, në 393 mijë e 125 lekë. Zvkryeministri i vendit nuk do të marrë 187 mijë leke, por një pagë mujore prej rreth 330 mije lekë. Ministrat e qeverisë do të paguhen me 318.750 leke, nga 175 mije leke aktualisht. Rroga e deputetëve do të bëhet 310 250 lekë, nga 156 770 lekë që është aktualisht.
Ky projektligj do të nisë te zbatohet nga data 1 prill dhe përfitues të tij do të jenë 130 mijë punonjësit e administratës publike, si dhe funksionarë të lartë shtetërorë, nga Presidenti deri te deputetët e ministrat.
/rtsh.al/