Partia e Lirisë (PL) nuk ka pretendime për datën kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm, por të enjten bëri të njohura kushtet e veta.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, zhvilloi një takim konsultues me presidentin Bajram Begaj në lidhje me mbajtjen e garës parlamentare në vitin 2025.
"Sa i përket datës së zgjedhjeve, qëndrimi i Partisë së Lirisë është që për ne është e pranueshme çdo datë, përveç datës së caktuar nga Taulant Balla. Kjo është një mundësi edhe për institucionin e Presidentit të Republikës për të treguar qartësisht një pavarësi nga pretendimi se ky institucion mund të jetë kthyer në noter të dytë pas Kuvendit, të mazhorancës," u shpreh kryesekretari i PL-së.
Në prononcimin për mediet, z. Blushi informoi se me presidentin Begaj ndau edhe shqetësimin e partisë për sa i përket arrestimit të presidentit Ilir Meta. Ai shtoi se Presidenca duhej të kishte reaguar për ngjarjen.
"Në emër të Partisë së Lirisë ndava shqetësimin për mungesën e një reagimi institucional nga ana e Presidentit të Republikës sa i përket rrëmbimit kriminal, banditesk të ish-Presidentit të Republikës, presidentit të Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta. Ky reagim duhet të kishte ndodhur në respekt të këtij institucioni, në respekt të statusit të veçantë që ka presidenti Meta. E shpreha me forcë këtë shqetësim, mungesën e reagimit," tha. z. Blushi.
Në kushtet e arrestit, ish-presidenti Meta ka ftuar strukturat e partisë që të reagojnë ndaj SPAK-ut, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit, e cila kërkoi ndalimin e tij për disa vepra penale.
"Kjo protestë do të zhvillohet. Protestat periodike para kësaj Strukture, që për fat të keq është shndërruar në një strukturë kriminale, e cila shërben vetëm si hanxhar në duart e Edi Ramës për të asgjësuar pluralizmin politik, opozitën e vërtetë. Në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm ka izoluar me masë ekstreme presidentin Meta, ka izoluar me arrest shtëpie liderin historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, dhe po bën çdo përpjekje për të minuar një proces të rregullt, të ndershëm zgjedhor vetëm në funksion të vijimit edhe për katër vite të tjera të narkoregjimit," tha z. Blushi.
/rtsh.al/