Me rastin e Ditës së Alfabetit, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, në emër të Kuvendit, i dhuroi Muzeut të Kongresit të Manastirit disa foto nga ditët e Kongresit, të përzgjedhura nga Spiropali, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave.
“Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe është një prej ngjarjeve më madhore të historisë tonë që lidhet pazgjidhshmërisht me identitetin tonë kombëtar, kulturën, artin, arsimin, dhe dijet në përgjithësi.
Kongresi i Manastirit kurorëzoi rrugën e gjatë e të mundimshme drejt shkrimit me Alfabet latin të Shqipes, gjuhës sonë të bukur, të shenjtë, të mirë e të dlirë.
51 fotove dhe 58 dokumenteve të Muzeut të Kongresit të Alfabetit në Manastir, të cilat na dëshmojnë këtë rrugëtim epik, po u shtohen edhe këto 10 foto, një dhuratë modeste që Kuvendi i Shqipërisë i bën këtij Muzeu, në prag të 22 nëntorit, Ditës së Kongresit të Manastirit, e cila me vendim të qeverisë shqiptare kremtohet në Shqipëri si Dita e Alfabetit Shqip.
Ja si i këndoi Shqipes Homeri ynë, Kryetari i Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta
Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjàma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu a’ gjuha e jonë shqyptare.
Dhe ja Naimi ynë,
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë!”-shkruan znj. Spiropali.
/rtsh.al/