RTSH 24 Live

Politikë

Celibashi: Votimi i emigrantëve nuk është në rrezik

5 orë para

Celibashi: Votimi i emigrantëve nuk është në rrezik

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka garantuar se procesi i votimit të emigrantëve nuk është në rrezik. Në një komunikim me gazetarët, Celibashi pranoi se ka disa problematika që nevojitet të adresohen, por u shpreh optimist teksa tha me siguri se do të gjendet një zgjidhje. Ai i bëri thirrje palëve politike në vend që të ulen dhe të diskutojnë “me maturi”.

Procesi i votimit nga jashtë nuk është në rrezik, ka zero rrezik, nuk po shkon drejt dështimit. Ky proces sot nuk është në rrezik. Ka problematika të cilat ne do të duhet të adresojmë, por me siguri që do të ketë një zgjidhje.  Është shumë e rëndësishme që të ulemi me maturi dhe të diskutojmë, nuk ka vlerë asnjë lloj qasje tjetër. Nuk kam arsye të mendoj që qeveria apo opozita kanë qëllime të tjera. Nga ato çfarë thonë, duket që ka interes të njëjtë nga të gjitha palët që ky proces të realizohet. Procesi i votimit nga jashtë nuk është në rrezik”, tha Celibashi.

Lidhur me votimin dhe numërimin elektronik, Celibashi tha se preferohet aplikimi në Tiranë. Fillimisht KQZ propozoi që të aplikohej në 5 qarqe, por për shkak të kohës së paktë në dispozicion, i propozuan partive politike aplikimin vetëm në qarqet Durrës dhe Elbasan. Por PS dhe disa parti të tjera opozitare kërkuan që të përfshihej edhe Tirana.

Për pasojë, Celibashi tha se Tirana përfshinë edhe cilësitë e Durrësit dhe Elbasanit për lehtësitë e aplikimit të këtij procesi dhe se për këtë arsye ata do të preferonin këtë qark.

Propozuam në krye të herës që të bëhej në 5 qarqe. Zoti Shehaj në letrën e dërguar KQZ, prej tij e kemi marrë spunton, kishte dhënë një argument logjik që thoshte që dakord, Elbasani ka një lloj eksperience, Durrësi ndihmon se është afër me Tiranën, por më afër Tiranës është vetë Tirana dhe gëzon edhe cilësitë e Elbasanit sepse në disa zona është aplikuar votimi elektronik. Pra Tirana përmbledh edhe Durrësin edhe Elbasanin dhe mendoj që edhe për interesin publik është Tirana. Nëse do binim dakord që të zhvillohej në Elbasan dhe në Durrës dakord, por ne do të preferonim të ishte Tirana”, u shpreh Celibashi.

Ndërsa lidhur me kërkesën e PD-së që të mos realizohet procesi i votimit dhe numërimit elektronik, duke hedhur dyshime mbi sigurinë e pajisjeve elektronike, Celibashi tha se nuk ka vend për shqetësime të tilla. Ai deklaroi se pajisjet janë 100% të sigurta dhe se çdo parti që ka dyshime është e lirë të bëjë verifikime.

“Problemi qëndron te sjellja e disa operatorëve, nuk ka asnjë lloj problematike tjetër. Pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik qëndrojnë aty dhe mund të bëhen të gjitha verifikimet në lidhje me pajisjet. Ne kemi bërë publik procesin e  verifikimit pas zgjedhor dhe ka patur një përputhje 100% të fletëve të votimit të printuara me votat dixhitale. Pajisjet e votimit elektronik janë 100% të sigurta dhe ofrojnë të gjitha garancitë në lidhje me fshehtësinë e votës. Jemi të hapur për të adresuar çdo lloj shqetësimi, por ekziston siguria e plotë e pajisjeve elektronike”, deklaroi Celibashi.

/rtsh.al/