RTSH 24 Live

Sociale

Raportet mjekësore merren online, Manastirliu: Jo më sorollatje të qytetarëve

28/06/2022

Raportet mjekësore merren online, Manastirliu: Jo më sorollatje të qytetarëve

Raporti mjekësor dhe dokumenti shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, tashmë merren online. Këtë e bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga Kamza, ku tha se kjo risi vjen si nevojë për të shmangur sorollatjet dhe burokracitë për qytetarët në kuadër të revolucionit dixhital.

“Ky sistem i ri për raportin mjekësor elektronik dhe i dëshmive të aftësisë për punë, do të sjellë me të vërtetë një revolucion brenda gjithë sistemit të shërbimeve. E para, sepse vetë qytetari, i cili ka një problematikë shëndetësore dhe i duhet të kërkojë një raport tek mjeku i familjes - dhe është një akses që përfshin rreth 1600 mjekë të familjes në të gjithë Shqipërinë-  do të ketë mundësi që ta përfitojë këtë raport mjekësor online, pra nëpërmjet platformës e-Albania. Dhe në të njëjtën kohë, përpos që ky raport mjekësor merret në mënyrë elektronike, i shkon edhe punëdhënësit në të njëjtin moment, duke shmangur burokracitë dhe ecejaket e qytetarëve për të marrë dhe dorëzuar një raport mjekësor apo dokumentin që dëshmon  aftësinë në punë”, tha Manastirliu.

Pas raporteve mjekësore dhe dokumentit shëndetësor të aftësisë në punë, në një fazë të dytë online do të kalojnë edhe raportet e lejes së lindjes.

“Të gjitha raportet afatgjata, apo ato të lejeve të barrëlindjes do të jepen elektronikisht. Pra nuk do të jetë më e nevojshme për të vajtur vetë qytetari, gruaja që sapo ka lindur të shkojë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore apo në degët e tij dhe të dorëzojë dorazi. Sepse ky raport shkon elektronikisht, përllogaritja është elektronike dhe depozitimi gjithashtu në llogarinë e qytetarit që ka përfituar këtë raport bëhet gjithashtu automatike”, bëri me dije Manastirliu.

Nga 1 Maj 2022, revolucioni dixhital në fushën e shëndetësisë ka hyrë në një fazë të re, me mbylljen e sporteleve fizike dhe kalimin tërësisht online të aplikimeve në sistemin shëndetësor.

/rtsh.al/