Turqia i ka dhuruar Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronës kamikazë. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, i cili ndodhet në një vizitë në Tiranë.
Rama u kujdes të theksonte se pajisja e Shqipërisë me këto dronë nuk rrezikon asnjë shtet, por shtoi se është mesazh i qartë nga Turqia se vendi ynë është i pagoditshëm.
“Ne jemi shumë të interesuar dhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Shqipërisë dhe fuqizimit të kësaj marrëdhënie në aspektin ushtarak, ku ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë. Unë e çmoj dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar ku bota ka marrë një drejtim të çuditshëm, për t’i dhënë ushtrisë së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëri, por që përmban një mesazh të qartë të Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, tha Rama.
Një temë që u diskutua mes dy liderëve ishte edhe konflikti në Gaza. E teksa e konsideroi atë që po ndodh në Gaza një tragjedi kolosale, Rama tha se megjithatë ndan këndvështrime të ndryshme me Erdoan në një pikë. Për kryeministrin Rama, populli palestinez ka të drejtë të jetojë në shtetin e tij, por nga ana tjetër terrorizmi, sipas tij, është i patolerueshëm.
“Ukrainë është një temë qendrore në të gjitha diskutimet dhe po ashtu sot, edhe ajo që ndodh për ditë në Gaza është një tragjedi në proporcione kolosale. Bashkëndajmë me Presidentin Erdoan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij. Por në një pikë kemi këndvështrim të ndryshëm sepse duke qenë tërësisht të vendosur bashkë me Turqinë dhe shumë të tjerë kundër terrorizmit, kundër terrorit, për ne terrori është i patolerueshëm. Jemi tërësisht për një armëpushim, por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina. Askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje ekzistencën e tyre”, theksoi ai.
Ndalur te çështjet ekonomike, Rama tha se synimi është që shkëmbi tregtar mes dy vendeve të arrijë tavanin e 2 miliardë eurove.
“Dua të përsëris për të disatën herë shprehjen më të sinqertë të mirënjohjes për vizitën sot në Tiranë. Jam shumë i kënaqur që zhvilluam takimin e dytë të Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit, ku mundëm të vlerësojmë zbatimin konkret të marrëveshjeve të bëra dhe potencialin e kësaj marrëdhënie. Presidenti i Turqisë e përsërit sa herë takohemi që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk e pasqyron siç duhet potencialin mes dy vendeve dhe ambicia jonë është që të arrijmë tavani e 2 mld eurove për të çelur pastaj një fazë të dytë me edhe më shumë zhvillim të këtyre shkëmbimeve”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/