RTSH 24 Live

Rajon

Rama thirrje vendeve të Ballkanit: Të bashkuar jemi të mëdhenj!

02/07/2021

Rama thirrje vendeve të Ballkanit: Të bashkuar jemi të mëdhenj!

Kryeministri shqiptar Edi Rama u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkohen dhe dhe të bashkëpunojnë dhe të mos presin derisa të bëhen anëtare të BE. 

Sikurse njofton e dërguara e RTSH Denada Shkodrani, duke folur të premten në ”Forumin e Prespës” dhe duke komentuar vendimin e fundit të Këshillit Europian për të mos i hapur negociatat, zoti Rama tha se  Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk e kanë më në dorë, por as mund të paketohen e futen në anije për të shkuar në BE.

Sipas zotit Rama Europa nuk mund të tregojë çfarë duhet bërë në rajon, prandaj vendet duhet të bashkohen dhe të mos presin derisa të bëhen anëtare të BE.

”Të jem i sinqertë nuk e ndjej më, fare, jam tepër serioz. Nuk e them këtë sa për të thënë diçka, me të vërtetë më nuk e ndjej fare, nuk e pres atë që e ndieja kur filloi" tha kryeministri shqiptar.

"Nuk bëhet fjalë që Shqipëria e Maqedonia e Veriut të paketohen e futen në anije, por bëhet fjalë për ndërtimin tonë në vendet tona, shtetet tona që funksionojnë si çdo vend tjetër i BE. A do të jemi apo jo pjesë e BE kjo nuk varet prej nesh, nuk është në duart tona, s’jemi ata që vendosim" tha zoti Rama.

Ndërkaq kryeministri shqiptar tha se "Mund të bashkëpunojmë, të bëjmë presion që çështjet të jenë më të mira për përmirësimin e ekonomive tona, për krijimin e hapësirave për sipërmarrësit, të rinjtë tanë". 

"Të izoluar dhe me shpinë drejt rajonit, jemi të vegjël, por të bashkuar jemi në masë të arsyeshme mjaftueshëm të mëdhenj. Ti falenderohemi zotit që nga një anë Europa s’mund të na tregojë ç’të bëjmë në këtë rajon, ne mundemi përmes veprimeve tona t’ua lehtësojmë jetën gjithë njerëzve që jetojmë këtu. Pse duhet të presim të bëhemi anëtarë të BE që të bëjmë tregti pa barriera?” përsëriti zoti Rama një ide të njohur të tij për bashkëpunim.