RTSH 24 Live

Politikë

Rama propozon një grua në krye të SHISH, emri i Vlora Hysenit në zyrën e presidentit Begaj

17/03/2023

Rama propozon një grua në krye të SHISH, emri i Vlora Hysenit në zyrën e presidentit Begaj

Kryeministri Edi Rama i propozoi sot presidentit Bajram Begaj emërimin e Vlora Hysenit, si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar.

Përmes një postimi në facebook Rama zbuloi motivin e vizitës në presidencë paraditen e së premtes 17 mars. 

 "Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar" shkruan Rama.

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Pas disa muajsh u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, prej të gjitha funksioneve të AKI-së.

Në 2021 mediat kosovare shkruajtën se ajo ishte emëruar si këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama por nuk pati informacion zyrtar në lidhje me emërimin e saj.

Ndërkohë sot Rama njoftoi se ka propozuar zonjën Hyseni si drejtore e SHISH dhe vlerëson dhe beson se do i japë një reformim këtij institucioni. 

Ndërkaq takimi mes tyre vjen dy muaj zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Nuk dihet nëse pjesë e bisedës ka qenë dhe procesi i zgjedhjeve.

Sakaq, kujtojmë se SPAK po thërret personat që kanë dijeni për çështjen e privatizimit të pronave të ushtrisë, kallëzim ky i bërë nga ish-zv.komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari.

Kujtojmë se SPAK ka thërritur ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputetin socialist Bardhyl Kollçakun, ish-ministren e Mbrojtjes, njëherësh Ministre e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Meçollarin, lidhur me kallëzimin e këtij të fundit për abuzimet me privatizimet e pronave të ushtrisë. Në kallëzimin e Meçollarit përfshihet dhe ish- shefi i Shtabit, Presidenti aktual Bajram Begaj.

Nuk dihet nëse SPAK do të thërrasë Begajn si person në dijeni për të dhënë shpjegime. Dhe gjithashtu nuk dihet ende nëse kjo çështje do të jetë pjesë e diskutimit në takimin Rama-Begaj.

(Lajmi u perditesua)

/rtsh.al/