Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputet i PS-së, Bardhyl Kollçaku u paraqit në SPAK këtë të enjte (9 mars), ku për tri orë u mor në pyetje për çështje e pronave të ushtrisë.
Ndonëse SPAK nuk dha detaje për marrje në pyetje nga prokurorët, burime nga organi i akuzës thanë, se ai u pyet për kallëzimin e bërë në mars të 2021 nga Artur Meçollari, ish-zëvendës shefi i forcave detare i cili në mars të 2021 kallëzoi në SPAK të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe ish-ministren e Mbrojtjes aso kohe, Olta Xhaçka dhe Presidentin aktual të Republikës, Bajram Begaj përpos Kollçakut, për abuzimet, sipas tij, me pronat e ushtrisë.
Por, pas tri orë qëndrimi në SPAK, Kollçaku nuk dha detaje se për çfarë u pyet.
Burime nga SPAK thanë gjithashtu, se thirrje nga Prokuroria ka marrë dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në cilësinë e pozicionit që ka pasur.
Meçollari ka artikuluar publikisht akuza edhe për ish shefin e Shtabit, sot Presidenti Bajram Begaj, por nuk dihet nëse SPAK do ta thërrasë kreun e shtetit si person në dijeni për të dhënë shpjegime.
Denoncimi nga Meçollari u bë për dy prona, një në Shëngjin dhe një në Sarandë, të cilat, sipas tij, i janë dhënë privatit jashtë kritereve ligjore.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/