RTSH 24 Live

Politikë

“Grup i ri parlamentar, parti e re  politike, koalicion me të rinjtë”, Enkelejd Alibeaj tregon planin për zgjedhjet 2025

26/07/2024

“Grup i ri parlamentar, parti e re  politike, koalicion me të rinjtë”, Enkelejd Alibeaj tregon planin për zgjedhjet 2025

Përpara se të marrin vendimin për krjimin e një partie të re antiberishiste, Enkelejd Alibeaj dhe deputetët që e mbështesin do të përpiqen të kuptojnë sa mbështetje kanë tek individë të tjerë me ndikim në shoqëri. Nuk është opsion që Enkelekd Alibeaj të jetë pjesë e një partie që Lulzim Basha mund të krijojë pak muaj më vonë. “Unë nuk jam nga ata që shkoj tek partia e njërit apo e tjetrit. Unë bëj aktet e mia. Lulzim Basha, sot e kësaj dite, vazhdon të jetë pjesë  e grupit parlamentar të Sali Berishës. Sot nuk është koha të veprojmë me “nëse”. Koha tani nuk kërkon vonesë, paqartësi, letargji.”- u shpreh i vendosur për t’u shkëputur nga Basha Enkelejd Alibeaj.

Ai është i qartë se vendit i duhet një alternativë e re, por rezervojet të flasë me detaje, përsa kohë nuk ka ende një vendim final. Planet janë ambicioze. Krijim i një grupi parlamentar në shtator, krijim i një partie të re, krijim i një fronti opozitar me parti të reja. “Jemi duke e diskutuar, duke e folur me njëri-tjetrin se cila është mënyra më e mirë për të krijuar një grup përfaqësues, pse jo dhe në parlament! Sa mirë do të ishte! Unë jam për këtë. U kam thënë edhe kolegve se mënyra më e mirë për ne, përveç largimit nga grupi, do të ishte një akt pozitiv, krijimi i një grupi parlamentar.”- tha zoti Alibeaj.

Por a e bëjnë dot grupin, i cili kërkon 7 deputetë? “Do të përpiqemi. Kjo varet sesa individë deputetë do të arrijnë të kuptojnë se kjo është më e mira jo për ta, por për shqiptarët.- u shpreh zoti Alibeaj, i cili, si qëllim ka të bashkëpunojë jo vetëm më ata që quhen antiberishistë, por edhe me partitë e reja, në mënyrë që të përfaqësohen bashkë në zgjedhje. Por deri tani, ky është vetëm një qëllim i pakonkretizuar. “Nuk e them dot sot, por hapat e para janë për të krijuar një grup njerëzish me integritet, të pashantazhueshëm, të cilët, nëse konkuldojnë dhe uroj të konkludojnë edhe për krjimin e një formacioni politik, që të prezantohemi në zgjedhje. 2025 është një ndarje e madhe mes të shkuarës dhe të ardhmes. Njerëzve që e duan ndryshimin u duhet dhënë mundësia për të qenë të përfaqësuar politikisht, për të treguar edhe aftësinë që të bëjmë bashkë edhe partitë e reja apo të tjera që mund të krijohen. Do ta mendojmë dhe besoj se do të arrrijmë në një konkluzion të matur si përgjegjësi historike dhe jo për karrierat tona personale.”- tha Enkelejd Alibeaj në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH. 

                                                                                                           
                                                                        


/ rtsh.al /