RTSH 24 Live

Politikë

Presidenti Begaj vizitë në Horën e Arbëreshëve në Itali

13 orë para

Presidenti Begaj vizitë në Horën e Arbëreshëve në Itali

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nisi sot një vizitë në Itali me ftesë të presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.

Institucioni i Presidencës njofton se, Presidenti Begaj bashkë me homologun italian Mattarella do të vizitojnë Horën e Arbëreshëve.

Në axhendën e Kreut të Shtetit janë parashikuar një seri takimesh me autoritetet italiane rajonale dhe arbëreshët në Sicili.

Hora e Arbëreshëve, një komunë që gjendet në Siçili, u themelua më 30 gusht të vitit 1488, nga një grup shqiptarësh të larguar nga trojet e tyre. Thuhet se shumë prej anëtarëve të parë të kësaj bashkësie ishin nga zona e Himarës.

Hora e Arbëreshëve me 6427 banorë, njihet si kryeqytet i arbëreshëve, një nga bashkësitë më të mëdha te komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë, ku ndodhet selia e peshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Sicili, Eparkia (ose Eparhia) e Horës së Arbëreshëve.

Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.

 

/rtsh.al/