RTSH 24 Live

Politikë

Hapja e negociatave me BE, Dhuka: Së shpejti Konferenca e Tretë Ndërqeveritare

12 orë para

Hapja e negociatave me BE, Dhuka: Së shpejti Konferenca e Tretë Ndërqeveritare
Kryenegociatorja e Shqipërisë me BE, Majlinda Dhuka

Moment historik e ka cilësuar Kryenegociatorja Majlinda Dhuka çeljen e negociatave për grup kapitullin e parë Shqipëri-BE.

Data 15 tetor ishte një ditë historike për Shqipërinë në rrugëtimin për t'u bërë pjesë e familjes europiane. Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit tani është më e hapur se më parë”, u shpreh Dhuka.

Gjatë një interviste ekskluzive për RTSH-në, Dhuka thotë se thirrja e Konferencës Ndërqeveritare erdhi si rezultat i përmbushjes me sukses së kushteve të nevojshme për hapjen e grup kapitullit të parë që ka të bëjë me të drejtat themelore.

Ekipi kombëtar i negociatave drejton punën e grupeve ndërinstitucionale të punës. I falënderoj publikisht për punën e vyer, energjinë e jashtëzakonshme dhe ndjenjën e atdhetarisë me të cilën kanë kryer të gjitha përgatitjet për çeljen e negociatave”, shtoi ajo.

Kryengociatorja më tej shtoi se së shpejti pritet të mbahet Konferenca e Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Shqipëria aspiron të ketë një konferencë tjetër Ndërqeveritare, për të vazhduar me çeljen e kapitujve të tjerë e me radhë përgjatë vitit 2025 e më tej”, tha për mikrofonin e RTSH-së Dhuka.

Nisja e negociatave për anëtarësim në BE do të thotë një proces i cili shoqërohet me transformimin politik, ekonomik dhe social të vendit. Për këtë, qeveria ka gati një plan reformash, që shtrihet deri në 2027.

"Shqipëria, në kuadër të çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE ka përgatitur një axhendë kombëtare reformash 2024-2027. Parashikohen një numër reformash të rëndësishme, transformuese të cilat do të forcojnë sidomos ekonominë dhe rritjen, por njëkohësisht do të krijojnë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset”, vijoi ajo.

Teksa foli për ndikimin e këtij procesi në jetën e qytetarëve, Kryenegociatorja Dhuka dha lajmin se shumë shpejt  Shqipëria pritet t’i bashkohet zonës së përbashkët për pagesat euro.

Po presim rezultatet e shqyrtimit të aplikimit që ka bërë Shqipëria. Pritshmëritë janë që kjo të ndodhë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm", bëri me dije Dhuka.

15 tetori i 2024 është një ditë mjaft e rëndësishme për vendin tonë sa i takon rrugëtimit europian. Shqipëria hapi negociatat me Bashkimin Europian për grup kapitullin e parë.

/rtsh.al/