Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës zyrtare 4-ditore në Japoni në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve, është takuar me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, ku sikurse ka bërë me dije “diskutuam një sërë projektesh me rëndësi”.
Në këtë vizitë, Kryeministri Rama shoqërohet nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi.
Pas takimit me Agjencinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Kreu i qeverisë është takuar edhe me Kryetarin e Federatës Japoneze të Biznesit dhe një përfaqësi nga sektorë të ndryshëm ekonomikë.
“Me Kryetarin e Federatës Japoneze të Biznesit dhe një përfaqësi nga sektorë të ndryshëm ekonomikë”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh, me fokus forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Japonisë. Po ashtu, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me homologun e Japonisë Fumio Kishida, si dhe do të marrë pjesë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në darkën e shtruar prej tij.
Dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta lidhur me kujdesin shëndetësor dhe social, parandalimin e fatkeqësive, si dhe mbrojtjen e mjedisit. Shqipëria dhe Japonia ndajnë vullnetin për të zhvilluar më tej interesat e përbashkëta, duke rritur shkëmbimet kulturore, veçanërisht në fushën e turizmit dhe duke thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Viti 2022 shënoi 100 vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë.
/rtsh.al/