RTSH 24 Live

Aktualitet

Qeveria rrit mbështetjen financiare për Forcat e Armatosura

10/10/2024

Qeveria rrit mbështetjen financiare për Forcat e Armatosura

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, vendimin që përmirëson ndjeshëm trajtimin financiar të personelit të Forcave të Armatosura. Ky vendim synon të forcojë kapacitetet kombëtare dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të Mbrojtjes Civile.

Rreth 6000 efektivë do të përfitojnë nga ky vendim; 2500 prej tyre e marrin për herë të parë shtesën mbi pagën.

Trajtim më të mirë financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si: forcat speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia Cyber, dronët, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera.

- Trajtimi financiar për personelin fluturues dhe mbështetës, sipas këtij vendimi, do të variojë deri në 100.000 lek mbi pagën në muaj dhe nga ky vendim përfitojnë rreth 200 ushtarakë.

- Për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20.000 lek në muaj për rreth 150 ushtarakë.

- Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70.000 lek në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë.

Ky vendim vjen vetëm 4 muaj pas rritjes së pagave që u bë për kategori të caktuara të Forcave të Armatosura.

Prej vitit 2022 pagat e efektivëve të FA kanë pësuar rritjen më të madhe në histori, prej gati 40%.

Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria janë të angazhuara të investojnë që trajtimi financiar i efektivëve të FA të shtohet çdo vit, për t’i përafruar me nivelin mesatar të vendeve të Aleancës së NATO-s, duke e konsideruar njëkohësisht një investim për sigurinë kombëtare.

/rtsh.al/