Pesë grupe monitorimi të ngritur nga Avokati i Popullit do të jenë sot në terren gjatë protestës së opozitës në orën 18:00 para Kryeministrisë, me qëllim ndjekjen nga afër të zhvillimeve.
Po ashtu, katër grupe të tjera monitorimi pas protestës do të jenë prezentë në komisaritatet e policisë për të siguruar mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të qytetarëve që mund të ndalohen apo shoqërohen gjatë protestës.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, një grup tjetër monitorimi është ngarkuar për të ndjekur raportimet online dhe live të mediave, me qëllim të vlerësimit të saktë të ecurisë së ngjarjeve në kohë reale.
Masat e marra nga institucioni i Avokatit te Popullit, vijnë në përmbushje të misionit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve
“Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë paqësore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe të protestojë paqësisht, pa frikë nga represioni apo dhuna. Në këtë drejtim, apelojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për të siguruar një protestë paqësore, ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve të respektohen plotësisht”, thuhet në njoftim, ndërsa më tej i bëhet thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve përkatëse që të veprojnë me përgjegjësi, duke respektuar standardet e ndërhyrjes së nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë, pa cenuar të drejtat e qytetarëve.
Institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje gjithashtu edhe protestuesve që të demonstrojnë paqësisht, duke respektuar jo vetëm të drejtat e tyre, por edhe ato të qytetarëve të tjerë.
/rtsh.al/