Me pankarta në duar dhe thirrje “e duam mjekësinë si gjithë Europa”, studentët e mjekësisë janë ngritur në protestë para Kuvendit, duke kundërshtuar projektligjin që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
Në Kuvend do të votohet sot në lidhje me projektligjin, ndërsa kjo nuk është hera e parë që studentët kërkojnë anulimin e tij.
Ditën e djeshme (19 korrik), studentët i dërguan një kërkesë Kuvendit për të qenë të pranishëm në seancën, ndërsa shprehen se nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Sipas projektligjit të qeverisë, maturantët që fitojnë të drejtën për t’u regjistruar për mjekësi, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Mjekësisë, ku do të pranojnë që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare, për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.
Për pjesën tjetër, ata që e kanë nisur universitetin dhe ata që janë në përfundim, ka dy alternativa. Ata që janë nga viti i dytë deri në vitin e katërt duhet të qëndrojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit. Nëse nuk do të duan që të qëndrojnë, alternativa tjetër është që të paguajnë koston e plotë të studimeve për vitet e studimit që i kanë mbetur.
/rtsh.al/