RTSH 24 Live

Aktualitet

Nesër votimi për projektligjin, studentët e mjekësisë kërkesë Kuvendit: Të dëgjohemi në Parlament

19/07/2023

Nesër votimi për projektligjin, studentët e mjekësisë kërkesë Kuvendit: Të dëgjohemi në Parlament

Një përfaqësi e studentëve të mjekësisë i kanë dërguar një kërkesë Kuvendit për të qenë të pranishëm në seancën e së enjtes (20 korrik), kur do të kalojë për votim edhe projektligji i qeverisë që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri.

Në kërkesën dërguar Kuvendit, studentët kërkojnë të përfshihen në rendin e ditës, për t’u dëgjuar përpara procesit të votimit për projektligjin.

Ata kanë qenë të pranishëm edhe te Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku kanë kundërshtuar projektligjin.

Sipas projektligjit të qeverisë, maturantët që fitojnë të drejtën për t’u regjistruar për mjekësi, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Mjekësisë, ku do të pranojnë që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare, për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Për pjesën tjetër, ata që e kanë nisur universitetin dhe ata që janë në përfundim, ka dy alternativa. Ata që janë nga viti i dytë deri në vitin e katërt duhet të qëndrojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit. Nëse nuk do të duan që të qëndrojnë, alternativa tjetër është që të paguajnë koston e plotë të studimeve për vitet e studimit që i kanë mbetur.

/rtsh.al/