Të pranishëm në seancën dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, një përfaqësi e studentëve të mjekësisë kanë kundërshtuar projektligjin e qeverisë që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri.
Njëri prej studentëve u shpreh se ky projektligj do të prodhojë edhe më shumë probleme, teksa theksoi se nuk garanton cilësi. Sipas tij, ky projektligj do të prodhojë “një brez të humbur mjekësh”.
“Pse me ligje emergjente, pse me kushte të përshpejtuara kur nuk ka urgjencë? Pse duhet ët vendosemi përballë një detyrimi, kur ne nuk qenkemi në këto kushte? Ky është paradoksi i parë. Mjekësia është fakultet që zgjat 6 vite, kërkon shumë investim, a mendoni ju që nxënësit e shkëlqyer do zgjidhnin mjekësinë për çfarëdolloj kushti? Nuk do e zgjidhnin dhe çfarë efekti do prodhonte ky? Nga njëra anë janë rritur kuotat, ndërkohë që kapacitete në fakultetin e mjekësisë nuk janë shtuar me asnjë metër katrorë. Ky ligj nuk garanton cilësi. Të merret një brez i tërë studentësh në kushte të ndryshme nga çdo brez tjetër studentësh që kanë qenë apo do të vijnë, për mua është absurde. Ky projektligj do prodhojë një brez të humbur mjekësh”, tha ai.
Sipas një tjetër studenti, ky projektligj do të sjellë më shumë rrjedhje të maturantëve, të cilët nuk do të zgjedhin degën e mjekësisë për të studiuar. Projektligjin ata e konsiderojnë si diferencues dhe të padrejtë.
“Ky ligj nuk garanton që do nxjerrë nesër në tregu e punës mjekë cilësorë. Mjekët elitarë që punojnë në spitalet shtetërore në Shqipëri janë mjekë të specializuar jashtë, e drejtë dhe mundësi që ne me këtë projektligj na mohohet. Do të sjellë rrjedhje të maturantëve për të mos ardhur në fakultetin e mjekësisë sepse është sakrificë shkolla 6 vite dhe akoma më shumë të shkosh 5 vite të tjera të shkosh në një qytet të shpopulluar të Shqipërisë për 700 mijë lekë. Studentët po tentojnë të transferohen në universiteti private të mjekësisë. Më e trishtë është që kemi studentë në vit të 1, të 2 apo të 3 që po shikojnë mundësinë për të ndryshuar degën e studimit. Po i vrisni ëndrrat”, u shpreh ai.
Sipas projektligjit të qeverisë, maturantët që fitojnë të drejtën për t’u regjistruar për mjekësi, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Mjekësisë, ku do të pranojnë që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare, për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.
Për pjesën tjetër, ata që e kanë nisur universitetin dhe ata që janë në përfundim, ka dy alternativa. Ata që janë nga viti i dytë deri në vitin e katërt duhet të qëndrojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit. Nëse nuk do të duan që të qëndrojnë, alternativa tjetër është që të paguajnë koston e plotë të studimeve për vitet e studimit që i kanë mbetur.
/rtsh.al/