Taulant Balla, aktualisht kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është një emër mjaft i spikatur në parti, ndërsa ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme.
Balla është anëtar i Partisë Socialiste që në vitin 1995, në moshën 18 vjeçare, kur ai u regjistrua në radhët e PS-së së Librazhdit.
Menjëherë më pas ai u largua për studime në Rumani, ku përfundoi studimet e larta dhe master për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Alexandru Ioan Cuza në Iasi.
Në vitin 2002, ai nisi punë në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Partisë Socialiste dhe në vitin 2003 u punësua në stafin e Zëvendës Kryeministrit të atëhershëm, Namik Dokle.
Fillimi i mirëfilltë i karrierës së tij politike ishte në vitin 2004-2005, kur Balla u emërua ndihmës i ish-Kryeministrit Nano, i ngarkuar me kontaktet me Internacionalen Socialiste.
Më pas ai u kandidua për deputet në zonën e Librazhdit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, në moshën 28 vjeçare. Megjithëse socialistët i humbën zgjedhjet, të fundit të zhvilluara me sistemin mazhoritar, Taulant Balla u zgjodh deputet.
Në periudhën 2007-2009, ai shërbeu si kryetar i Komisionit parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit pasi shumica demokrate vendosi që kryesinë e këtij komisioni t’ja kalonte opozitës.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, të zhvilluara pas ndryshimeve kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, Taulant Balla u rendit i katërti në listën e qarkut Elbasan dhe u zgjodh sërish deputet si përfaqësues i zonës së Librazhdit.
Në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, Balla u rendit i pesti në listën e PS-së për qarkun Elbasan. PS fitoi 6 nga 14 mandate duke e bërë Ballën sërish deputet.
Në tetor 2017, pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i PS-së duke marrë kështu edhe postin e dytë më të rëndësishëm në parti.
Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 2021, ndërsa tashmë mban postin e kreut të Grupit Parlamentar të PS.
Teksa pritet emërimi i tij në krye të Ministrisë së Brendshme, nuk dihet ende se kush do ta marrë detyrën e kreut të Grupit Parlamentar socialist.
/rtsh.al/