RTSH 24 Live

Aktualitet

Pr.ligji për kërkimin shkencor, Kushi e shqetësuar: Asnjë sugjerim nga grupet e interesit

14/10/2024

Pr.ligji për kërkimin shkencor, Kushi e shqetësuar: Asnjë sugjerim nga grupet e interesit

Komisioni për Mjetet e Informimit Publik po zhvillon këtë të hënë (14 tetor) seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave dhe Konferencën e Rektorëve në lidhje me projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e komisionit, Evis Kushi ngriti shqetësimin për mungesën e sugjerimeve nga grupet e ndryshme të interesit. Kushi u shpreh se vetëm dy kanë qenë shkresat zyrtare në lidhje me këtë projektligj, i pari që erdhi nga Konferenca e Rektorëve, dhe shkresa e dytë me sugjerime nga Afrim Krasniqi.

Kushi u bëri thirrje grupeve të ndryshme të interesit, qoftë shoqëria civile, deputetë, organizata apo individë aktivë që deri më 16 tetor kanë mundësi të japin sugjerimet e tyre për rregullime, apo qoftë edhe vërejtje e kritika.

Dua të ngre një shqetësim se nuk ka patur asnjë koment nga shoqëria civile, apo kushdo tjetër. Sot mora informacion që nuk ka patur asnjë informacion as nga individë aktiv, as organizata, as nga lobistët. Kemi shkresën e konferencës së rektorëve, dhe nga Afrim Krasniqi.

Këto ditë që kanë mbetur deri më 16 tetor kur ligji është në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë për konsultim publik, që të sjellin sugjerime”, deklaroi Kushi.

Projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë” ka për qëllim të krijojë kushte për zhvillimin dhe funksionimin e një sistemi bashkëkohor të shkencës dhe kërkimit shkencor dhe të rregullojë e garantojë mundësimin e financimit të këtij sistemi nga burime të ndryshime financimi, sipas përcaktimeve në këtë ligj.

Po ashtu, pr.ligji synon arritjen e objektivave si më poshtë:

  1. a) Sigurimin e produkteve të kërkimit shkencor që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe konsolidimin e identitetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare;
  2. b) përvetësimin e aftësive dhe njohurive të reja, transferimin e tyre për përfitimin e përgjithshëm publik, me synim rritjen e nivelit të mirëqenies sociale, zhvillimit teknologjik dhe inovacionit;
  3. c) fuqizimin e aftësive për të menaxhuar dhe zbatuar progresin teknologjik dhe të përgjithshëm shoqëror, si burimi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm, duke rritur vlerën e punës dhe konkurrueshmërinë;

ç) fuqizimin e lidhjeve ndërkombëtare të komunitetit të studiuesve dhe kërkuesve shkencor shqiptarë me ato të zonës europiane të kërkimit, si dhe me kërkuesit e diasporës, duke promovuar lëvizshmërinë dhe përfshirjen në proceset e integrimit evropian dhe në rrjetet ndërkombëtare të vlerave;

  1. d) ngritjen e kapaciteteve të personelit shkencor dhe nxitjen e zhvillimit të karrierës shkencore duke siguruar mundësi të barabarta;
  2. dh) fuqizimin dhe rritjen e përdorimit të infrastrukturës kërkimore shkencore duke garantuar akses për të gjithë;
  3. e) zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e kërkimit shkencor, me qëllim zhvillimin dhe shfrytëzimin e potencialeve kërkimore shkencore;

ë) nxitjen e bashkëpunimit midis institucioneve të kërkimit shkencor dhe biznesit, institucioneve publike, shoqërisë civile, si dhe palëve të tjera të interesuara në veprimtari kërkimore shkencore dhe inovacion;

  1. f) promovimin, zgjerimin e rolit të shkencës dhe krijimin e një mjedisi favorizues dhe mbështetës për kërkimin shkencor në shoqëri.

/rtsh.al/