RTSH 24 Live

Rajon

Plani i rritjes prej 6 miliardë euro i BE-së, agjenda e vizitës së Ursula von der Leyen me liderët e rajonit

22/10/2024

Plani i rritjes prej 6 miliardë euro i BE-së, agjenda e vizitës së Ursula von der Leyen me liderët e rajonit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nesër do të nisë një udhëtim katërditor në Ballkanin Perëndimor, ku do të takohet me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Ky do të jetë rasti për të diskutuar progresin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, si dhe planin e rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së.

Pas mbërritjes në Tiranë, shefja e BE-së do të zhvillojë një takim me kreun e qeverisë, Edi Rama në Kryeministri në orën 15:00.

Me të mbyllur takimin, kryeministri Rama dhe Presidentja e KE-së do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp rreth orës 16:00.

Një orë më pas, është programuar pjesëmarrja e dy udhëheqësve në ceremoninë hapëse të Kolegjit të Evropës.

Ditën e dytë ndërkaq, në agjendën zyrtare parashikohet një takim me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.

Të enjten, pas vizitës në Tiranë, Presidentja do të udhëtojë për në Shkup, ku do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Presidentja von der Leyen dhe kryeministri Mickoski do të mbajnë një konferencë për shtyp në qendrën mediatike të qeverisë.

Më vonë gjatë ditës, presidentja von der Leyen do të vazhdojë udhëtimin e saj në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ditën e mëtejshme, më 25 tetor, ajo do të ketë më pas edhe takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Kristo.

Po më 25 tetor, do të udhëtojë më pas drejt Serbisë, ku do të takohet si me presidentin, Aleksandar Vuçiç, ashtu edhe me kryeministrin, Milos Vuçeviç.

Data 26 tetor do të jetë e ndarë mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Në Kosovë, Von der Leyen pritet të takojë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizita në Ballkan përmbyllet me takimet në Malin e Zi me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.

Vizita e këtij viti në Ballkanin Perëndimor vjen në një kohë kur zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së, gjë e cila është konfirmuar nga presidentja von der Leyen në disa raste, duke përfshirë së fundmi në Samitin e Procesit të Berlinit dhe në Forumin Strategjik të Bled-it.

 

/rtsh.al/