RTSH 24 Live

Kosovë

O Brajen: Kosova të themelojë Asociacionin, moskoordinimi ka pasur pasoja

21/10/2024

O Brajen: Kosova të themelojë Asociacionin, moskoordinimi ka pasur pasoja

SHBA-ja ka përsëritur edhe një herë nevojën që autoritetet e Kosovës t'i përmbahet marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që të ndihmojë raportet me Serbinë.

Ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Xhejms O Brajen (o. James O'Brien), deklaroi për radiotelevisionin shtetëror serb RTS se serbët në Kosovë duhet të integrohen më mirë në vend.

Diplomati amerikan tha se projektstatuti për Asociacionin duhet të merret parasysh nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

"Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin dhe në të gjitha këto të punojmë njëkohësisht. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkrua [marrëveshja për Asociacionin]. Nuk mund t’ju ofroj një afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë sikurse qytetarët evropianë," u shpreh O Brajen.

Në intervistën me medien serbe, diplomati preku edhe çështjet e fundit, që kanë ndikuar në marrëdhëniet SHBA–Kosovë. Zyrtarin amerikan mirëpriti vendimin e qeverisë kosovare për zhbllokimin e rrugës kufitare për mallrat serbe, ndërsa kujtoi pasojat e veprimeve të pakoordinuara, siç është mbyllja e institucioneve në Veri që funksiononin sipas sistemit të Serbisë dhe që Perëndimi e ka kritikuar.

"Pasoja më e madhe ishte që shtetet në Evropë nuk mundësuan pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. E gjithë kjo për shkak të moskoordinimit," tha z. O Brajen.

Të hënën diplomati amerikan ndodhet në Prishtinë për të takuar zyrtarët e lartë të vendit, ndërsa një ditë më parë u prit nga homologët e tyre në Beograd, edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq. 

/rtsh.al/