RTSH 24 Live

Kosovë

Kosovë- KQZ certifikon Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

31/12/2024

Kosovë- KQZ certifikon Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, në mbledhjen e radhës, ka zbatuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për miratimin e rekomandimit të Zyrës, për certifikimin e subjektit politik Lista Serbe dhe kandidatëve të këtij subjekti politik.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi,  tha se sipas ligjit janë të obliguar ta zbatojmë vendimin e PZAP-së.

“Ky vendim është apeluar dhe Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën dhe me ketë, vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm. Kjo çështje është mbyllur duke u certifikuar Lista Serbe”, tha Radoniqi.

KQZ në mbledhjen e sotme ka diskutuar lidhur me rekomandimin e PZAP-it për certifikimin e subjektit politik Lista Serbe dhe kandidatëve të këtij subjekti politik.

KQZ në mbledhjen e sotme ka diskutuar rekomandimin e PZAP-it për certifikimin e subjektit politik Lista Serbe dhe kandidatëve të këtij subjekti politik.

Në këto diskutime përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, dolën sërish kundër, duke u arsyetuar me aktivitetin politik të Listës Serbe dhe deklaratat e shumta të zyrtarëve të kësaj partie kundër shtetit të Kosovës. Kjo mbledhje e KQZ-së u monitorua nga përfaqësues të ambasadës amerikane dhe BE-së.

Ndryshe Lista Serbe është ankuar në PZAP, pasi në mbledhjen e 23 dhjetorit të KQZ-së, ky institucion nuk e ka certifikuar këtë subjekt politik, pas kundërshtimeve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës.

kujtojmë se Gjykata Supreme e Kosovës e hodhi poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo parti politike ishte ankuar kundër vendimit të PZAP-së lidhur me Listën Serbe.

Me vendimin e panelit të 25 dhjetorit, ishte aprovuar si e bazuar ankesa e Listës Serbe. Me këtë, ishte anuluar njoftimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i datës 23 dhjetor.

Me këtë vendim të Gjykatës Supreme, urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta bëjë certifikimin e Listës Serbe dhe të kandidatëve të saj.