Ndërsa na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, Bashkimi Europian ka deklaruar se çështja e certifikimit të partive politike, nuk duhet të politizohet.
Sipas BE-së, procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, dhe jo në konsiderata politike.
BE-ja thekson se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.
“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë nënvizuar në konkluzionet e Këshillit të 17 dhjetorit zhvillimet pozitive në Kosovë sa i përket kornizës zgjedhore, bazuar në rekomandimet e BE-së, para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përderisa Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë një demokraci të gjallë, mos certifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike dhe jo procedurave ligjore do të ishte një pengesë serioze.
Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës.
Procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, dhe jo në konsiderata politike.
BE-ja thekson se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, thuhet në njoftimin për shtyp të lëshuar nga BE-ja.
Duke iu drejtuar më tej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, BE i ka rikujtuar edhe njëherë rolin vendimtar në mbikëqyrjen e zgjedhjeve, ndërsa i ka bërë thirrje që të sigurojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent.
Po ashtu, BE duke iu drejtuar anëtarëve të KQZ, i ka kërkuar kësaj të fundit që të sigurojë ruajtjen e garancisë demokratike pavarësisht nga përkatësia e tyre politike.
“Presim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), roli i të cilit në mbikëqyrjen e zgjedhjeve është vendimtar, të sigurojë tani me të gjitha mekanizmat e aplikueshëm një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke u mundësuar votuesve kosovarë që të shprehin qartë zgjedhjet e tyre. Përgjegjësia për të ruajtur garancitë demokratike është e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Një çështje e tillë themelore nuk duhet të politizohet dhe të përdoret si zë në fushatën elektorale”, thuhet më tej në njoftim.
/rtsh.al/