RTSH 24 Live

Politikë

“Kuvendojmë për Shqipërinë” Spiropali tur takimesh në qarkun e Beratit: Deri në fund të dhjetorit pritet 1 milion turistë në qytet

3 orë para

“Kuvendojmë për Shqipërinë” Spiropali tur takimesh në qarkun e Beratit: Deri në fund të dhjetorit pritet 1 milion turistë në qytet

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nisi sot takimet në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë”, në qarkun e Beratit, i cili po zhvillohet gjatë Javës së Gjelbër të Kuvendit.

Spiropali, ka marshuar së bashku me qytetarët e qytetit në rrugët e Kuçovës, e shoqëruar nga të zgjedhurit e pushteti lokal dhe deputetet socialist.

Gjatë takimit të Kryetares Spiropali me Kryetarin e Bashkisë Berat, Ervin Demo, u diskutua për investimet në infrastrukturë, shërbimet për qytetarët, arsimin, turizmin, sipërmarrjet dhe inovacionin.

Spiropali u shpreh se nuk do të mungojë mbështetja ndaj qytetit të Beratit për të qenë më pranë qytetarëve. Gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, Spiropali, u shpreh se problemet e qytetarëve, komuniteteve lokale dhe qeverisjes vendore janë prioritet i Kuvendit dhe deputetëve. Vëmendja e kthyer nga Bashkitë me ndryshimin e politikës së pagave për pushtetin vendor, është pozitive dhe mundësi për të marrë dhe mbajtur në punë profesionist të aftë.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë që u jepet Bashkive që të tërheqin nga tregu në mënyrë konkurruese profesionistë, të jenë sa më eficente, të kenë mundësi të rrisin treguesit e performancës dhe që kjo e fundit të jetë e lidhur gjithashtu edhe me financimet.”, – theksoi Spiropali.

Ajo tha se skema e Granteve të BE për Bashkitë është një mundësi shumë e mirë që u ofrohet atyre sot, për investime në infrastrukturë, shërbimet publike, zhvillimin ekonomik vendor, krijimin e vendeve të reja të punës, fuqizimin e të rinjve etj.

Në fjalën e saj në Berat, Spiropali foli për investimet e shumta dhe rritjen e turizmit në Berat.

“Këtu nuk mungon tradita, nuk mungon historia, si edhe historia moderne e investimeve në sipërmarrje e në bujtinë, e në restorante, e në vende mikpritëse”, tha Spiropali.

“Pashë statistikat e turistëve në Berat dhe deri në fund të dhjetorit pritet 1 milionë turistë  këtë vit vetëm në Berat dhe jo vetëm në qendrat historike apo të trashëgimisë, por kudo, edhe në lagjet e Beratit, edhe në lagje të tjera që nuk janë domosdoshmërisht historike, por ku ato apartamentet e vogla janë vënë në punë për të pritur turistë dhe njerëz që duan ta vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit gjithashtu u shpreh se bisedoi në Berat me disa pensionistë në një takim.

“Biseduam hapur për sfidën e re që kemi ndërmarrë për një analizë të sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve që do të mundësojë një rritje te konsiderueshme të bonusit të pensionistëve, brenda dhjetorit dhe më pas një skemë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për rritjen e pensioneve për gjyshërit dhe gjyshet tona, për prindërit tanë që kanë punuar aq shumë gjithë jetën e tyre dhe që meritojnë të marrin një pension dinjitoz për të jetuar këtu dhe ne t’u kthejmë mesa të mundemi gjithë përpjekjet dhe gjithë punën e tyre”.

Spiropali nënvizoi se, nuk është e thjeshtë pasi janë mbi 730 mijë pensionistë në Shqipëri.

“Skema e pensioneve është ende defiçitare. Pra, buxheti kontribuon shumë më shumë sesa marrin nga skema e sigurimeve shoqërore dhe për këtë duhet të bëjmë politika të kujdesshme, por edhe proaktive për të luftuar informalitetin tek pagat”, tha Spiropali.

Kryeparlamentarja foli gjithashtu për hapjen e grup-kapitullit themelor të negociatave me Bashkimin Evropian.

“Ne jemi në një fazë shumë të rëndësishme të procesit tonë të integrimit. Më 15 tetor Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat dhe filloi negociatat e drejtpërdrejta për grup-kapitullin e parë “Themeloret”, çështjet e të drejtës, çështjet e administratës, luftës kundër korrupsionit dhe çështje të tjera themelore”, tha Spiropali.

“Rruga e integrimit të Shqipërisë është sot pa kthim. Është fakt që Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së dhe synimi ynë është të integrohemi në BE brenda 2030-ës dhe për këtë ka nevojë për kontributin e gjithkujt. Integrimi evropian nuk është një slogan, nuk është as një proces burokratik me detyra shtëpie që ne i bëjmë për Brukselin. Po, është dhe ajo, por mbi të gjitha është një proces transformimi dhe zhvillimi i brendshëm. Është Evropa këtu. Janë transferimi i kapaciteteve i dijeve, i instrumenteve që ka BE për të na mësuar në shtetndërtim, në shtet formim, në standarde, në ligje, në përmirësimin dhe transformimin e sektorëve tanë”, tha Spiropali.

Spiropali foli gjithashtu edhe për reformën në drejtësi.

“Këto shenja të fundit që shihni të tranzicionit janë reflektime të një mendësie që është e vjetër, ku politika partiake ishte mbi gjithçka, ku lufta partiake mbizotëronte mbi interesin publik dhe interesin kombëtar ndonjëherë, ku përçarjet për pushtet të vogël, ku lufta klanore, ku interesat sektare të njërit apo të tjetrit i mbivendoseshin interesit publik dhe gjithë interesit kombëtar. Sot interesi kombëtar është të kemi një politikë që bashkëpunon. Ne nuk jemi armiq me njëri-tjetrin. Po jemi dy krahë të politikës dhe duhet të jenë të dy të shëndetshëm në mënyrë që të shkojmë përpara. Nuk kemi ne punë me problemet e njërit apo të tjetrit me sistemin e drejtësisë. Pushteti gjyqësor është një pushtet i pavarur. Ka ikur koha, kur pushteti gjyqësor kontrollohej nga ca pak njerëz të fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht”, tha Spiropali.

/rtsht.al/