RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti takon O Brajenin: Serbia të dorëzojë kryeterroristin Radoiçiq

18 orë para

Kurti takon O Brajenin: Serbia të dorëzojë kryeterroristin Radoiçiq

Bashkëpunimi dypalësh dhe dialogu me Serbinë ishin të hënën (21 tetor) në qendër të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe Ndihmëssekretarit për Çështjet e Europës dhe Eurazisë, Xhejms O Brajen (o. James O'Brien).

Zyrtari amerikan u shoqërua nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhef Hovenier (o. Jeff). Kjo ishte vizita e parë e O Brajenit në Kosovë që prej marrjes së detyrës, por e dyta me Kurtin në harkun e një muaji.

"Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, dhe për bashkëpunimin e afërt në fushën e energjisë, ekonomisë, financave dhe sigurisë e mbrojtjes. Një javë pas Samitit të Procesit të Berlinit, u vlerësua angazhimi, marrëveshja e nënshkruar dhe deklaratat e miratuara që e bënë 10-vjetorin e Procesit të Berlinit një përvjetor të suksesshëm në avancimin dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal drejt integrimit evropian," thuhet në njoftimin e Kryeministrisë së Kosovës.

Raportet me Serbinë po ashtu u prekën gjerësisht nga palët.

"Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar," njoftoi Kryeministria.

Para Kosovës, O Brajeni dhe drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit të Jashtëm për Europën, Anxhelina Eishorst (Angelina Eichhorst), u takuan me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nga ana e tij, presidenti Vuçiq tha se temë diskutimi ishte edhe çështja e dialogut dhe sfidat me të cilat përballet populli serb në veri të Kosovës.

Ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Xhejms O Brajen (o. James O'Brien), deklaroi për radiotelevisionin shtetëror serb RTS se serbët në Kosovë duhet të integrohen më mirë në vend. Ai përsëriti mbështetjen për Asociacionin, që duhet të merret parasysh nga Kosova.

Në intervistën e tij, diplomati preku edhe çështjet e fundit, që kanë ndikuar në marrëdhëniet SHBA–Kosovë. Zyrtari amerikan mirëpriti vendimin e qeverisë kosovare për zhbllokimin e rrugës kufitare për mallrat serbe, ndërsa kujtoi pasojat e veprimeve të pakoordinuara, siç është mbyllja e institucioneve në Veri, që Perëndimi e ka kritikuar.

/rtsh.al/