RTSH 24 Live

Kulturë

Koncert nga Orkestra e RTSH - Pjesë e repertorit, kompozimet e Gustav Mahler dhe Andrea Scartazzini

3 orë para

Koncert nga Orkestra e RTSH - Pjesë e repertorit, kompozimet e Gustav Mahler dhe Andrea Scartazzini

Koncert nga orkestra e RTSH-së, pjesë e repertorit, kompozimet e Gustav Mahler dhe Andrea Scartazzini

Notat e hedhura në partiturë nga kompozitorët e dy kohëve, hebre-austriaku Gustav Mahler, i cili aktivitetin e tij artistik e ka pasur në shek. XIX-XX dhe Andrea Skaltacini, artisti bashkëkohor zviceran, do të luhen nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Maestros italian, Facundo Agudin dhe pjesëmarrjen e veçantë të sopranos shqiptare, Renisa Laçka.

Dirigjenti Facundo Agudin premtoi një program shumë të bukur.  

“Programi që do të luajmë premtoj se do të jetë bombastik dhe tejet i bukur. Bëhet fjalë për simfoninë Nr.4 në Sol Maxhor të Gustav Mahler, i cili më duhet të them se është shumë i ndërlikuar dhe po punojmë shumë së bashku me Orkestrën, si dhe një prelude para saj, premierën e kompozitorit zviceran Andrea Skaltacini. Është një pjesë shumë e shkurtër që ne do e luajmë, bashkë me solisten, Renisa Laçka, një soprano fantastike e Operas”, tha Agudin.  

Kjo nuk është hera e parë që dirigjenti luan një koncert në Shqipëri, por vepra e përzgjedhur luhet për herë të pare nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Por, pavarësisht kësaj, dirigjenti është i mahnitur nga skrupuloziteti i punës së Orkestrës dhe i artistëve të tjerë për të sjellë një shfaqje të paharrueshme për publikun.

“Çfarë mund të them për artistët shqiptarë?! Nuk e di në qoftë se je duke punuar me një artist rus, artist italian, artist gjerman… Artistët shqiptarë janë shumë njerëz interesantë, inspirues dhe kanë një ndjeshmëri të veçantë artistike dhe kualitet vokal. Nga brumi që kanë artistët me të cilët kam punuar, më krijohet ndjesia që këtu çdokush mund të jetë potencialisht këngëtar, i çdo stili. Ndaj jam shumë i lumtur të luaj me ta. Është hera e parë që Orkestra e luan këtë pjesë por mund të them se është ndryshe dhe shumë e bukur”, shtoi ai.

Ky koncert, i cili do të mbahet ditën e premte, më 25 Tetor, në sallën e Universitetit të Arteve, organizohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, Ambasadës Gjermane në Tiranë si dhe fondacionit publik të Zvicrës “Pro Helvetia”, me qëllim mbështetjen e artistëve dhe promovimit të kulturës dhe artit zviceran jashtë vendit.

/rtsh.al/