65 mijë pensionistë aktualisht numërohen në qarkun e Korçës duke e bërë këtë qark një nga qarqet me më shumë te moshuar, një pjesë e të cilëve te vetmuar. Por, edhe pse numri i të moshuarve të vetmuar është tepër i lartë ku një pjesë e tyre kanë të nevojshme kujdesin e vazhdueshëm, në rrethin e Korçës është vetëm një rezidencë për të moshuarit, e cika ka aktualisht 31 të moshuar. Drejtoresha e Rezidencës Marleen Van De Voorde tregon se viteve të fundit ka një kërkesë të shtuar, kjo dhe për vet faktin se fëmijët apo familjarët e të moshuarve jetojnë jashtë.
“Njerëzit që kemi këtu janë të gjithë njerëz që janë në nevojë, mund të kenë nevojë shëndetësore, mund të kenë nevojë që nuk kanë ku të jetojnë, janë të braktisur. Vitet e fundit kemi shumë kërkesa”, u shpreh Marleen Van De Voorde, Drejtoreshë e Rezidencës së të Moshuarve, Korçë.
Duke qenë se rezidenca e vetme e të moshuarve që operon në Korçë është një organizatë me burime të limituara ekonomike, kjo ka sjellë vështirësi për zgjerimin e kapaciteteve edhe ndonëse kërkesa për strehim rezidencial e të moshuarve është tepër e lartë.
Gazetare: E. Xhindole
/rtsh.al/