Policia e Shtetit ka bërë të ditur se 10 efektivë kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmeve me molotov nga ana e protestuesve të opozitës.
Që prej fillimit të protestës së opozitës, protestuesit kanë sulmuar policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.
“Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu, Policia bën të ditur se ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Protesta e mbrëmjes së sotme vjen pas burgosjes së deputetit demokrat Ervin Salianji i cili u gjet fajtor për shpifje në çështjen “Babale” të nisur që prej vitit 2018, kur Salianji kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të asaj kohe Fatmir Xhafaj teksa akuzoi edhe vëllanë e këtij të fundit si të lidhur me trafikun e drogës. Salianji, i cili po vuan dënimin në burgun e Fierit ka apeluar dënimin e tij në Gjykatën e Lartë.
Pas arrestimit të Salianjit, opozita reagoi ashpër duke protestuar dhunshëm në seancat e fundit plenare të cilat u shoqëruan edhe me djegien e karrigeve të Kuvendit. Përveç rastit të Salianjit, demokratët bëjnë thirrje gjithashtu për lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak, i cili u vendos nën hetim nga SPAK për dyshime për korrupsion.
Në mungesë të Berishës, protesta e opozitës drejtohet nga dyshja Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, të cilët kanë shoqëruar protestuesit në godinat qeveritare, ndaj të cilave është hedhur molotov.
Opozita e ka konsideruar këtë si mosbindje civile dhe nuk parashikohen fjalime por që është e shoqëruar me tubimin e vetë protestuesve para godinave qeveritare.
Më herët, ambasada amerikane në Tiranë reagoi duke paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg protestës.
Nga ana e tyre, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bër apel opozitës që të rifillojë dialogun me qeverinë, pasi sipas tyre dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në familjen evropiane.
/rtsh.al/