RTSH 24 Live

Botë

Përplasja Francë-Izrael, Macroni dhe Netanjahu “sqarohen” në telefon me njëri-tjetrin  

4 orë para

Përplasja Francë-Izrael, Macroni dhe Netanjahu “sqarohen” në telefon me njëri-tjetrin  

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, një telefonatë që pallati Élysée e përshkroi si "të sinqertë", pas përplasjeve mes dy krerëve të shteteve pas thirrjes së Macronit ndaj SHBA që të mos furnizonte me armë Izraelin.

“Të dy liderët pranuan divergjencat e tyre si dhe dëshirën e tyre për t'u kuptuar mirë nga njëri-tjetri”, shpjegon zyra e Macronit në një deklaratë për mediat pas telefonatës.

Angazhimi i Francës për sigurinë e Izraelit është i palëkundur”, citohet t'i ketë thënë Macron Netanyahut.

Megjithatë, presidenti francez ka deklaruar se dërgesat e armëve, zgjatja e luftës në Gazë dhe shtrirja e saj në Liban nuk do të prodhojnë siguri as për izraelitët dhe as për të tjerët që jetojnë në rajon.

Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së presidentit Macron dhe Netanjahu, theksohet se të dy udhëheqësit ranë dakord të mbajnë një dialog për këtë çështje gjatë vizitës që do të zhvillojë ditën e nesërme në Izrael, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot.

Përplasja mes Izraelit dhe Francës lindi pas apelit të presidentit francez Emmanuel Macron ndaj SHBA-ve që të ndalojë furnizimin me armë Izraelit.

Në një intervistë të regjistruar të hënën, por të transmetuar të shtunën, Macron tha për radion France Inter se “mendoj se sot, prioriteti është që të kthehemi te një zgjidhje politike, që të ndalojmë furnizimin me armë për të udhëhequr luftimet në Gazë.

“Franca nuk po i furnizon ato”, sqaroi ai menjëherë, duke e kthyer në mënyrë indirekte vëmendjen te SHBA, furnizuesi kryesor i armëve i Izraelit.

Presidenti francez paralajmëroi gjithashtu për "një pakënaqësi që po lind, një urrejtje që po ushqehet në këtë rast".

“Libani nuk mund të shndërrohet në një Gazë tjetër”, shtoi ai. Duke përsëritur apelin e tij,  zyra e Macronit tha sot se ai favorizon ndalimin e eksporteve të armëve për përdorim në Gazë, sepse nevojitet një armëpushim për të ndaluar dhunën në rritje dhe për të "pastruar rrugën drejt zgjidhjeve politike të nevojshme për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë Lindjes së Mesme”.

Komentet e tij u pasuan me një përgjigje të ashpër nga Netanjahu.

“Ndërsa Izraeli lufton forcat e barbarisë të udhëhequra nga Irani, të gjitha vendet e civilizuara duhet të qëndrojnë fort në krah të Izraelit. Megjithatë, presidenti Macron dhe liderë të tjerë perëndimorë tani po bëjnë thirrje për embargo armësh kundër Izraelit. Turp për ta”, u shpreh Netanjahu.

/rtsh.al/