RTSH 24 Live

Botë

1-vjetori i 7 Tetorit- Izraeli në gatishmëri të lartë, Irani anulon fluturimet

3 orë para

1-vjetori i 7 Tetorit- Izraeli në gatishmëri të lartë, Irani anulon fluturimet

Izraeli do të përkujtojë ditën e nesërme më 7 tetor 1-vjetorin  e sulmit të Hamasit ndaj izraelitëve, nga ku nisi edhe konflikti i përgjakshëm që vijon ende sot. Kundërpërgjigja e Izraelit fillimisht u përqendrua në Gazë ndaj Hamasit dhe më pas në Liban ndaj Hezbollahut, teksa ka rrezik për një sulm ajror hakmarrës kundër Iranit.

Teksa izraelitët përgatiten për 1-vjetorin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, vendi ndodhet në gatishmëri të lartë.

Në Izrael, autoritetet thanë se janë në gatishmëri dhe ka rrezik për sulme që përkonin me përvjetorin pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj këmbësorëve në një stacion qendror autobusi në një qytet në shkretëtirën Negev, duke vrarë një person dhe duke plagosur 10 të tjerë.

Në Iran, aeroportet njoftuan se do të anulonin të gjitha fluturimet nga ora 21:00 deri në orën 6 të mëngjesit, një tregues i mundshëm që Teherani pret që avionët izraelitë të mund të sulmojnë duke pasur si objektiv ushtrinë iraniane, naftën apo edhe qendrat e prodhimit bërthamor.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, është zotuar nga ana e tij, se do të hakmerret kundër Iranit për sulmin e fundit me raketa balistike ndaj Izraelit, por tha se ai do të zgjidhte kohën dhe vendin.

Nga ana tjetër, SHBA i ka kërkuar Izraelit që të mos tejkalojë linjat e kuqe që mund ta çojnë rajonin në një luftë gjithëpërfshirëse.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe të Pentagonit kanë qenë në konsultime me Izraelin lidhur me sulmin e pritshëm hakmarrës.

Joe Biden i ka kërkuar Netanjahut të mos sulmojë prodhimin bërthamor ose qendrat e naftës iraniane, duke shkaktuar potencialisht sulme hakmarrëse nga Irani kundër infrastrukturës së cenueshme izraelite, raporton "The Guardian".

Në të njëjtën kohë, administrata Biden duket se nuk po mundet të bindë Izraelin në raport me Iranin dhe për operacionet tokësore kundër milicive në Gazë dhe Liban që mbështeten nga Teherani.

/rtsh.al/