RTSH 24 Live

Botë

Macron apel SHBA-ve: Mos furnizoni me armë Izraelin! Netanjahu: Të kesh turp

2 orë para

Macron apel SHBA-ve: Mos furnizoni me armë Izraelin! Netanjahu: Të kesh turp

Thirrja e presidentit francez Emmanuel Macron për ndalimin e furnizimeve me armë të Izraelit ka ngjallur zemërimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.

Apeli i presidentit francez i drejtoheshin kryesisht SHBA-ve dhe ishin pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme franceze për të ringjallur mundësinë e një armëpushimi në Liban.

Vetë Franca i ofron pak armë Izraelit, por është e prirur të forcojë ndikimin e saj të gjatë në Liban, duke treguar se dëshiron që SHBA të ushtrojë një presion të vërtetë mbi Izraelin për të pranuar një armëpushim.

Uashingtoni dukej se pati pak rezistencë diplomatike kur Izraeli hodhi poshtë planin e SHBA-së dhe Francës për një armëpushim 21-ditor në Liban të shpallur në OKB në Nju Jork gati dy javë më parë.

Në një intervistë të regjistruar të hënën, por të transmetuar të shtunën, Macron tha për radion France Inter se “mendoj se sot, prioriteti është që të kthehemi te një zgjidhje politike, që të ndalojmë furnizimin me armë për të udhëhequr luftimet në Gazë.

“Franca nuk po i furnizon ato”, sqaroi ai menjëherë, duke e kthyer në mënyrë indirekte vëmendjen te SHBA, furnizuesi kryesor i armëve i Izraelit.

Presidenti francez paralajmëroi gjithashtu për "një pakënaqësi që po lind, një urrejtje që po ushqehet në këtë rast".

“Libani nuk mund të shndërrohet në një Gazë tjetër”, shtoi ai.

Duke përsëritur apelin e tij,  zyra e Macronit tha sot se ai favorizon ndalimin e eksporteve të armëve për përdorim në Gazë, sepse nevojitet një armëpushim për të ndaluar dhunën në rritje dhe për të "pastruar rrugën drejt zgjidhjeve politike të nevojshme për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë Lindjes së Mesme”.

Komentet e tij u pasuan me një përgjigje të ashpër nga Netanjahu.

Ndërsa Izraeli lufton forcat e barbarisë të udhëhequra nga Irani, të gjitha vendet e civilizuara duhet të qëndrojnë fort në krah të Izraelit. Megjithatë, presidenti Macron dhe liderë të tjerë perëndimorë tani po bëjnë thirrje për embargo armësh kundër Izraelit. Turp për ta”, u shpreh Netanjahu.

Nga ana tjetër, Emanuel Macron tha se do të thërrasë një konferencë ndërkombëtare për situatën në Liban dhe ngritjen e trupave të armatosura të qeverisë libaneze në kufirin me Izraelin.

Sulmet izraelite në Liban kanë si synim shkatërrimin e grupit të Hezbollahut të mbështetur nga Irani, i cili sulmoi me raketa Izraelin në mbështetje të Hamasit, që po ashtu sulmoi Izraelin nga Gaza më 7 tetor 2023.

Ndërkaq, thirrja e Macronit është mirëpritur nga qeveria libaneze, e Katarit dhe Egjiptit, si dhe nga Autoriteti Palestinez.

/rtsh.al/