RTSH 24 Live

Botë

A do hakmerret Izraeli ndaj Iranit? Herzog: Po bëjmë përllogaritjet tona

4 orë para

A do hakmerret Izraeli ndaj Iranit? Herzog: Po bëjmë përllogaritjet tona

Presidenti  izraelit Isaac Herzog i ka bërë thirrje popullit libanez dhe iranian që të ngrihet dhe të përballet me regjimet e tyre siç i ka cilësuar ai.

Nëse përballemi me të dhe jemi të ashpër së bashku, me siguri mund të shpresojmë për një të ardhme më të mirë dhe të krijojmë një strukturë të ngjashme me NATO-n në rajon që bllokon radikalizmin,” tha presidenti izraelit, duke folur për rrjetin Saudi Al Arabiya.

Herzog nuk u përgjigj nëse Izraeli mund t'i përgjigjet sulmit raketor të Iranit, por vetëm theksoi se “ne jemi duke bërë të gjitha përllogaritjet në këtë drejtim”.

Duke folur një ditë para përvjetorit të një viti të sulmeve të Hamasit të 7 tetorit, Herzog thotë se “kjo luftë është bërë kundër nesh nga perandoria e së keqes, nga Irani dhe përfaqësuesit e tij. Kemi 101 pengje ende në birucat e Gazës, në vuajtje të jashtëzakonshme. Dhe ne po luftojmë në veri dhe në jug, domethënë në Gazë dhe në Liban. Ne po përpiqemi të ndryshojmë ekuacionin dhe të sjellim shpresë për njerëzit e Lindjes së Mesme.”

Herzog e quan këtë moment "një mundësi të artë për fuqitë që duan të kenë një të ardhme më të mirë për Lindjen e Mesme, për të ecur përpara me ide dhe plane të reja për të zgjidhur këtë konflikt".

Presidenti argumenton se Izraeli ndjek ligjin ndërkombëtar dhe kujdeset thellë për fqinjët e tij.

"Njerëzit në Rripin e Gazës meritojnë një të ardhme më të mirë si fqinjët tanë, dhe ne meritojmë një ditë më të mirë dhe të ardhme më të mirë si fqinjët e tyre," tha ai.

/rtsh.al/