Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tragjedisë me 38 të vdekur në Greqi, si pasojë e përplasjes së dy trenave, ku ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndërsa ndihet i keqardhur për dhembjen e madhe të popullit grek në këto orë të rënda.
“Sa keq të dëgjosh për humbjen e jetëve dhe shumë të plagosur në aksidentin tragjik të natës së fundit në Greqi! Ndjejmë dhimbjen e fqinjëve tanë të dashur në një orë kaq të rëndë për kombin e tyre dhe i bashkohemi në lutjet e tyre dhe në ngushëllimet për familjet e viktimave”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.
Për tragjedinë ka reaguar dhe Ministria e Jashtme, e cila ka bërë me dije se është vazhdimisht në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën shqiptare në Athinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Selanik lidhur me aksidentin. Ministria ka njoftuar se deri në këto momente nuk ka informacion për shtetas shqiptarë të përfshirë në aksident.
“Të trishtuar nga aksidenti tragjik që ndodhi në Tempe në Greqi nga përplasja e dy trenave. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për viktimat dhe familjet e tyrë të këtij aksidenti vdekjeprurës.Shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Deri më tani nuk ka ende informacion për shtetas shqiptarë në rradhët e viktimave apo të të plagosurve, ndërkohë që përfaqësues të Konsullatës në Selanik janë në vendngjarje”, njofton Ministria.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka reaguar po ashtu, për përplasjen e dy trenave në Greqi, ku ka shprehur solidaritet me Parlamentin e Greqisë, Kryetarin Tasoulas dhe popullit grek.
“I trishtuar dhe i dhimbshëm lajmi për përplasjen e trenave në Greqi, me pasojë humbjen e jetës dhe plagosjen e dhjetra njerëzve. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave dhe të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Shpreh gjithashtu solidaritetin me Parlamentin e Greqisë, Kryetarin Tasoulas dhe popullin e Greqisë. Lutemi dhe u jemi pranë në këto ditë dhimbjeje!”, shkruan Kryetarja Nikolla në rrjetin social Facebook.
Partia e Lirisë u ka shprehur ngushëllimet e ndjera familjeve të viktimave dhe lutet për shërim të shpejtë të të mbijetuarve. Kreu i PL, Ilir Meta ka shprehur “Solidaritet të plotë autoriteteve vendore dhe qendrore”.
“Me hidhërim mësova për tragjedinë në Larisa të Greqisë fqinje dhe mike! Në këto orë dhembje dhe tronditje të thellë, unë dhe Partia e Lirisë u shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave dhe lutemi për shërim të shpejtë të të mbijetuarve!”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.
Treni IC62 ishte nisur nga Athina për në Selanik në momentin kur është përplasur me një tren mallrash në zonën e Evangelismos. Në momentin e përplasjes, sipas të dhënave të publikuara nga kompania Hellenic Train, në bord ndodheshin rreth 350 pasagjerë. Kur treni ka nisur udhëtimin nga Athina, ka pasur 430 persona, por 80 prej tyre kanë zbritur në Larisa, ndërsa pjesa tjetër ka vazhduar rrugën deri në përplasjen e rëndë të dy trenave pranë qytetit Tempe.
Sakaq, autoritetet greke kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa po punohet për nxjerrjen e pasagjerëve të tjerë të ngecur në tren. Përpjekjet e zjarrfikësve janë fokusuar aktualisht në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve të cilët janë përmbysur dhe ku nxjerrja është edhe më e vështirë.
/rtsh.al/