Lezha përkujtoi 557-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.
Në nderim të kësaj ngjarjeje historike, autoritetet lokale dhe përfaqësues të klerit katolik bënë homazhe pranë memorialit të tij.
Veprimtaria nisi me gjëmën e burrave, riti që ndoqi Lek Dukagjini me burrat e tij për të treguar pikëllimin e thellë të kësaj humbjeje të madhe për shqiptarët.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi, solli në vëmendje figurën e Gjergj Kastriotit, ndërsa nënkryetarja e Bashkisë, Eueda Molla, tha se më 17 janar 1468, vendi ynë humbi jo thjesht një udhëheqës ushtarak.
"Vdekja e tij ishte një moment trishtimi jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën që e pa Skënderbeun si një barrikadë të fuqishme kundër zgjerimit të perandorisë osmane. Skënderbeu, i cili gjatë gjithë jetës së tij luftoi për lirinë e atdheut, nuk ishte vetëm një udhëheqës ushtarak, por simbol i qëndresës dhe i guximit," u shpreh nënkryetarja e bashkisë, Eueda Molla.
"Falënderoj Zotin për dhuratën që na ka dhënë, sepse Zoti në kohë të ndryshme na ka dhënë njerëz të ndryshëm për të na treguar fytyrën e vet në jetën tonë. Unë mendoj që Skënderbeu, Agati Kristi siç thoshte papa i asaj kohe e deri te Nënë Tereza e martirët tanë na e kanë pasuruar jetën," tha frat Sokol Pepushaj, përfaqësuesi i Kishës Katolike.
Homazhet në nderim të Gjergj Kastriotit kanë vijuar edhe në Pallatin e Kulturës, ku përmes një koncerti u dëshmua dhimbja e përjetuar për ketë humbje të madhe për shqiptarët.
/rtsh.al/