Policia ka ndaluar një 39-vjeçar i shpallur në kërkim për ngjarjen e një viti më parë në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, jashtë një lokali, u vra me armë zjarri shtetasi V.F.
Pasi është vendosur në pranga 39-vjeçarit i është sekuestruar edhe motomjeti me të cilin lëvizte.
“Në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën policore për një shtetas në kërkim që qarkullonte me motomjet në rrugën e fshatit Dobraç, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan punën dhe si rezultat kapën e ndaluan shtetasin E. D., 39 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndaj 39-vjeçarit Gjykata ka vendosur masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale "Përkrahja e autorit të krimit", “Moskallëzim i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 21.09.2023, në fshatin Hot i Ri, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi V.F.
Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/