Ulja e orarit të punës nga 8 orë në 6 orë e gjysmë, nisja e punës në 09 deri në 15:30, heqja e kufizimit minimumi 1 javë për marrjen e lejes vjetore, rritja e pagave brenda 2024, projekti pilot se kush punon mirë do të shpërblehet, janë disa nga një seri lehtësirash nga të cilat mund të përfitojë administrate publike.
Këto ide u artikuluan nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni në prezantimin e “Paketës së Motivimit për Administratën”.
Orari në punë
Një ndër çështjet që Pirdeni preku në krye të fjalës së saj, kishte të bënte me fleksibilitetin e orareve në punë për punonjësit e administratës.
Sipas saj, për këtë çështje është diskutuar me të gjithë ata që jetojnë në përditshmërinë e punës në administrate, për të sjellë ato ndryshime jo me domosdoshmëri sikurse e mendojmë drejtuesit e administratës, por ashtu siç vetë punonjësit dhe qytetarët, si marrës të shërbimit kanë nevojë që të ndryshojë.
“E para ndër kërkesat tuaja ka qenë garantimi i fleksibilitetit të orarit. Ndaj dëshiroj të ndaj me ju lajmin e mirë që brenda këtij viti do t’iu mundësohet punonjësve të alternojnë dhe përzgjedhin nisjen e orarit ditor të punës, sipas agjendës që dikton dhe jeta familjare, dhe shoqërimi i fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla”, u shpreh Pirdeni.
Sipas saj, ndërsa të gjithë duhet të jenë në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30, punonjësit mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre të punës më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjella, praktikë kjo tashmë e aplikuar në disa vende të Evropës.
Nga kjo përjashtohen ato njësi që kanë kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin.
“E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike. Ju e kërkuat në mënyrë masive, si një ndër prioritetet kryesore, dhe ne po përgjigjemi për heqjen e këtij kufizimi, duke çliruar kështu mundësinë që kushdo të planifikojë pushimet që i takojnë ligjërisht në segmente kohore më të shkurtra se një javë,” tha ministrja Pirdeni.
Rritja e pagave
Ministrja u ndal edhe tek rritja e pagave brenda vitit 2024, duke bërë të ditur se pagat do të rriten brenda këtij viti për nëpunësit e nivelit specialist, për punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, ushtarakët, punonjësit e policisë dhe të arsimit.
Sektori publik, vuri në dukje ajo, tashmë është shndërruar në punëdhënës tërheqës.
“Rritja e pagave ka hyrë aktualisht në një fazë të dytë, e cila do të përmbyllet brenda këtij viti dhe do të përfshijë rritjet për nëpunësit civil të nivelit specialist, Forcat e Armatosura, punonjësit e sigurisë, si dhe të gjithë punonjësit në sektorin e arsimit dhe së fundi nga radha por jo nga rëndësia, pagat e punonjësve të institucioneve të qeverisjes vendore, sikurse nga Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor. Kjo reformë i ka dhënë tashmë frytet e para, evidentuar kjo me rritjen 23 % rritje të numrit mesatar të aplikantëve për rekrutime jashtë shërbimit civil për pozicione të nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues, pikërisht për shkak të rritjes më të ndjeshme të pagës së kësaj fashe dhe uljes në masën 15% të dorëheqjeve,” tha ministrja Pirdeni.
Duke përmendur premtimin e dhënë Brukselit, ministrja Pirdeni tha se përpos rritjes së pagave do të zhvillohet gjithashtu një vlerësim performancë institucionale dhe personale.
Ajo informoi se një projekt pilot po zbatohet në tre ministri që ka si qëllim që kush punon mirë do të shpërblehet.
“Puna e institucionit do të matet mbi bazën e treguesve të qartë të performancës, përfshirë këtu dhe aspekte të zhvillimit të kapitalit të tyre njerëzor. Sikurse do të parashikohet në ligj mundësia e dhënies së bonuseve për performancë të mirë në punë, brenda kufizimeve të diktuara nga nevoja e ruajtjes së një qasjeje sa më objektive,” tha Pirdeni.
Sipas saj, mekanizmat e fleksibilitetit dhe çdo masë tjetër, do të marrin vlerë të dyfishtë nëse aparatet drejtuese e përqafojnë këtë risi dhe e bëjnë pjesë të përditshmërisë së saj.
/rtsh.al/