RTSH 24 Live

Politikë

PD kërkesë kryeprokurorit: Hetoni kryebashkiakun e Malësisë së Madhe, fshehu procedimin për drogë në Itali

02/07/2024

PD kërkesë kryeprokurorit: Hetoni kryebashkiakun e Malësisë së Madhe, fshehu procedimin për drogë në Itali

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon nga Prokurori i Përgjithshëm që të verifikojë kryetarin e Bashkisë Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, pasi sipas tij preket nga ligji i dekriminalizimit.

16 deputetë të Partisë Demokratike shprehen në kërkesë se Tonin Marinaj ndalohet për të kandiduar pasi nuk ka deklaruar në ligjin për dekriminalizimin një hetim në 2016 lidhur me akuzimin e tij nga antimafia italiane për trafik droge.

Sipas PD Tonin Marinaj ka qenë në procedim për trafikim marijuane në të paktën 3 raste dhe është cilësuar nga autoritete italiane si organizatori i këtij trafiku droge.

“Në datën 5 qershor 2015, Drejtoria Rajonale Antimafia, e Prokurorisë së Republikës, pranë Gjykatës së Firences, e përfaqësuar nga prokurori Dr. Giulio Monferini ka njoftuar mbylljen e hetimeve paraprake ndaj personave të hetuar, ku rezulton se shtetasi Tonin Marinaj, lindur në Shqipëri, më 05.12.1996, është në rolin e themeluesit, nxitësit dhe drejtuesit të një organizatë kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me tipare ndërshtetërore, me baza vepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar sistematikisht, profesionalisht dhe në vazhdimësi në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale. Hetimet janë kryer në kuadër të procedimeve penale nr. 1615/2010, nr. 14109/2010 dhe nr. 15892/2011 të Prokurorisë Antimafia në Firence.

Sipas informacioneve përshkruhen në detaje episodet e trafikimit të lëndës narkotike të llojit mariuanë, si dhe bashkëpunëtorët për kryerjen e këtij aktiviteti, përkatësisht: (i) Episodi i parë: Kreu i organizatës kriminale Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen tek anëtarët të 50 kilogramëve mariuanë në Firence, në datën 29.05.2010; (ii) Episodi i dytë: Kreu i organizatës Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarje tek anëtarët për shitje të jo më pak se 75 kilogramëve mariuanë, në Firence, në datën 14.06.2010; (iii) Episodi i tretë: Kreu i organizatës Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen tek anëtarët e 42 kilogramëve mariuanë, pjesë e një sasie prej 388 kilogramësh mariuanë të magazinuar në Firence, në Firence, në datën 23.07.2010. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në këtë magazinë është gjendur edhe një pistoletë e kalibrit 9 mm dhe 100 gramë kokainë.

Në datën  29 mars 2016, prokurori Giulio Monferini ka depozituar në Gjykatën e Firences kërkesën për gjykim në kuadër të procedimit penal nr. 1615.10 RGNR mod.21 në ngarkim të disa shtetasve, përfshirë shtetasin Tonin Marinaj. Në përmbajtje të këtij akti janë parashtruar tre episodet e mësipërme, si dhe janë përshkruar provat mbi të cilat bazohet akuzat, të cilat kryesisht lidhen me përgjime telefonike në numrave dhe pajisjeve që kanë përdorur anëtarët e organizatës kriminale, e dyshuar si e drejtuar nga shtetasi Tonin Marinaj. Në datën 12 maj 2016, Zyra e Gjykatës për Hetime Paraprake, pranë Gjykatës së Firences, me gjyqtar Angelo Antonio Pezzuti pasi ka shqyrtuar kërkesën për gjykim dhe provat në ngarkim të të pandehurve, ku sërish relatohet se Tonin Marinaj është drejtuesi, organizuesi dhe nxitësi i organizatës kriminale të angazhuar në trafikimin e lëndës narkotike të llojit mariuanë, ka vendosur caktimin e seancës gjyqësore paraprake në dhomë këshillimi në datën 13 tetor 2016”, thuhet në letrën e grupit të PD si prova për nisje hetime nga Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK.

Kërkesa është firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi dhe deputetët Dhurata Cupi, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Ramadan Likaj, Sorina Koti, Albana Vokshi, Luan Baci, Elda Hoti, Edmond Spaho, Emilja Koliqi, Flamur Hoxha, Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, Bledion Nallbati dhe Asllan Dogjani.

/rtsh.al/