Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të vendosë tarifa të reja për të gjitha mallrat e importuara nga Kina, Meksika dhe Kanada, si përgjigje ndaj shqetësimeve të tij për imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës. Tarifat do të jenë 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika, dhe 10% për ato nga Kina. Ky vendim do të hyjë në fuqi të martën.
Trump ka thënë se ky hap është i nevojshëm për të mbajtur përgjegjës këto shtete për problemet që SHBA-ja po përballet, si trafiku i drogës dhe imigracioni i paligjshëm, duke përfshirë fentanilin. Ai ka shtuar se është i gatshëm të përshkallëzojë tarifat nëse këto shtete hakmerren.
“Njoftimi i sotëm i tarifave është i nevojshëm për të mbajtur përgjegjës Kinën, Meksikën dhe Kanadanë për premtimet e tyre për të ndalur vërshimin e drogave helmuese në Shtetet e Bashkuara”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë në X të shtunën.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se “Kanadaja do të përgjigjet me tarifa 25% ndaj 155 miliardë dollarëve të mallrave amerikane, duke përfshirë birrën, verën, lëndën drusore dhe pajisjet, duke filluar me 30 miliardë dollarë që hyjnë në fuqi të martën dhe 125 miliardë dollarë 21 ditë më vonë.”
Trudeau paralajmëroi qytetarët amerikanë se tarifat e Trump do të rrisin kostot e tyre të ushqimeve dhe benzinës, duke mbyllur potencialisht fabrikat e montimit të automjeteve dhe duke kufizuar furnizimet me mallra si nikeli, potasi, uraniumi, çeliku dhe alumini. Ai u bëri thirrje qytetarëve të tij që të heqin dorë nga udhëtimet në SHBA dhe të bojkotojnë produktet amerikane.
Në reagimin e saj, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum e ka quajtur këtë vendim "shpifje", duke theksuar se Meksika është e gatshme të punojë me SHBA-në për të zgjidhur problemet, por jo përmes tarifave. Ajo ka paralajmëruar se mund të miratojnë masa hakmarrëse për produktet amerikane.
Ky zhvillim pritet të ketë pasoja të mëdha për tregtinë dhe ekonominë globale, duke pasur parasysh që Kina, Meksika dhe Kanada janë disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së.
/rtsh.al/