RTSH 24 Live

Botë

Trump: Kam urdhëruar sulme ajrore ndaj grupit të Shtetit Islamik në Somali

5 orë para

Trump: Kam urdhëruar sulme ajrore ndaj grupit të Shtetit Islamik në Somali

Donald Trump ka bërë të ditur se ai ka dhënë urdhër për sulme ajrore ushtarake ndaj grupeve të Shtetit Islamik (IS) në Somali.

Këta vrasës, të cilët i gjetëm të fshehur në shpella, kërcënuan Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë. Sulmet shkatërruan shpellat ku ata jetojnë dhe vranë shumë terroristë pa dëmtuar në asnjë mënyrë civilët”, ka shkruar Trump në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në rrjetin ‘X,’ zyra e presidentit të Somalisë tha se ata ishin informuar për sulmin amerikan që synonte kreun e lartë të IS-s në pjesën veriore të vendit.

Nga ana e tij, Trump nuk përmendi asnjë nga personat e shënjestruar në këto sulme. Presidenti e përfundoi postimin duke shkruar: Mesazhi për ISIS-in dhe të gjithë të tjerët që do të sulmonin amerikanët është se ‘Ne do  t'ju gjejmë, dhe ne do t'ju vrasim!’

Në një postim në X, zyra e presidentit të Somalisë tha se Presidenti Hassan Sheikh Mohamud "pranon mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe mirëpret angazhimin e vazhdueshëm nën udhëheqjen vendimtare të Presidentit Donald Trump".

Sipas tij, operacioni i fundit "përforcon partneritetin e fortë të sigurisë midis Somalisë dhe Shteteve të Bashkuara në luftimin e kërcënimeve ekstremiste". Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se "vlerësimi ynë fillestar është se shumë operativë u vranë në sulmet ajrore dhe asnjë civil nuk u dëmtua".

Hegseth tha se sulmet "degradojnë më tej" aftësinë e IS "për të komplotuar dhe kryer sulme terroriste" dhe "dërgojnë një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë të gatshme për të gjetur dhe eliminuar terroristët".

Dega somaleze e IS-it u formua në vitin 2015 nga një grup dezertorësh nga grupi al-Shabab i lidhur me Al-Kaedën - grupi më i madh xhihadist në Somali.

/rtsh.al/