RTSH 24 Live

Sociale

Parku i Divjakës me pagesë/ Banorët sërish në protestë, përplasen me policinë: Po na vidhni hapur

18/11/2022

Parku i Divjakës me pagesë/ Banorët sërish në protestë, përplasen me policinë: Po na vidhni hapur

Banorët e Divjakës kanë dalë sërish në protesta kundër vendosjes së traut me pagesë për të hyrë në Parkun e Divjakës. Ata kanë kërkuar sërish heqjen e traut dhe pagesën për të hyrë në park, ku sipas tyre kjo rrugë është e përditshëm dhe bileta do të rëndojë edhe më shumë xhepat dhe ekonominë e tyre familjare.

Banorët u përplasën me policinë ku thyen edhe xhamat e kabinës së biletarisë që po ndërtohet në zonë. Protestuesit thanë se nuk do tërhiqen nga kërkesa e tyre për të hequr traun në Parkun e Divjakës.

“Sjellja që bën policia është skandaloze. Populli duhet të rrijë këtu. Do të ngulemi këtu dhe nuk do të lëvizim. Mos ta gënjejë mendja se do të vendosin këtë tra”

“Është Divjaka jonë. Është vjedhje e hapur kjo që po bëjnë”, thanë disa nga banorët

Edhe gjatë ditës së sotme banorët janë mbështetur në protestën e tyre nga deputetë të PD dhe të Rithemelimit. Një ditë më parë Ministria e Turizmit sqaroi se bileta me vlerën 50 lekë do aplikohet vetëm për turistët dhe prej saj përjashtohen banorët e zonës.

Ministria tha se rruga ku vendoset sistemi i kontrollit është një rrugë që të jep akses vetëm në park dhe nuk të lidh me asnjë aks tjetër rrugor dhe se kjo tarifë do të përdoret për pastrimin, mirëmbajtjen dhe investimin në Parkun e Divjakës.

 /rtsh.al/