RTSH 24 Live

Aktualitet

Pas amnistisë iu rikthye vjedhjes, Balla flet për rastin në Korçë: Të bëjnë kujdes, ndryshe do përfundojnë sërish në burg

26/04/2024

Pas amnistisë iu rikthye vjedhjes, Balla flet për rastin në Korçë: Të bëjnë kujdes, ndryshe do përfundojnë sërish në burg

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla iu ka bërë thirrje të gjithë personave që përfituan nga amnistia që të mos i rikthehen veprave të jashtëligjshme pasi do të përballen sërish me drejtësinë.

Duke marrë parasysh rastin e djeshëm kur një i dënuar në Korçë i cili përfitoi nga amnistia iu rikthye jetës së mëparshme pasi u kap duke vjedhur, Balla theksoi se personat që kanë përfituar nga falja janë nën monitorim për të parandaluar vepra të ndryshme penale.

...dua të ndaj me ju, por mbi të gjitha me publikun, dhe t'u kujtoj personave që kanë përfituar nga amnistia, që është në të mirën e tyre, që dorën e ngrohtë të shoqërisë përmes amnistisë, mos ta marrin si dobësi, por ta marrin si një mesazh që t'i rikthehen një jete normale, larg çdo lloj forme veprash penale, sepse Policia e Shtetit, në komunikim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve po administrojmë të gjitha emrat e personave që janë përfitues dhe po ashtu do të kemi një monitorim një për një të secilit prej tyre në mënyrë që të parandalojmë çdo lloj përfshirjeje të tyre në vepra penale. Në rast se do ta bëjnë do të rikthehen aty ku kanë qenë”, u shpreh për mediat nga Korça, ministri i Brendshëm.

Prononcimi i plotë i ministrit të Brendshëm Tualant Balla nga Korça:

Çfarë masash do të merren për të dënuarit për veprat penale të vjedhjes që u liruan me amnisti së fundmi?

Balla: Kjo është edhe një prej arsyeve të kësaj vizite të beftë këtu në DVP Korçë. Gjej rastin që t'i përgëzoj drejtorin dhe drejtuesit e tjerë të kësaj drejtorie vendore për reagimin e menjëhershëm. Ju e dini që amnistitë janë gjithmonë të mirëpritura dhe qeveria shqiptare i propozoi Kuvendit pikërisht ndërmarrje një hapi të tillë.

Por nga ana tjetër ne e dimë se në këto raste gjithmonë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë pas amnistive kryesisht kur bëhet fjalë për amnisti, nga e cila përfitojnë  persona që mbajnë  dënime që vijnë për pasojë të veprave penale sikurse mund tjetër shpërndarja lëndë narkotike, vjedhjet apo vepra të tjera të ngjashme, ekziston predispozicioni apo mundësia që t'i rikthehen përsëri aktivitetit të tyre kriminal.

Rasti që ju i referoheni, personi ka qenë i dënuar për vjedhje apo për vepra të ngjashme dhe natyrshëm që nuk i ka rezistuar tundimit. Por kjo nuk do thotë që policia nuk e ka vigjilencën e duhur. E vërteta është që i gjithë operacioni për ta rikthyer në qeli personin është bërë nga DVP Korçë, të cilët falë inteligjencës policore, falë veprimeve të menjëhershme, është arritur që personi të identifikohet e të vendoset në kohë rekord para drejtësisë përsëri.

Në këtë aspekt dua të ndaj me ju, por mbi të gjitha me publikun, dhe t'u kujtoj personave që kanë përfituar nga amnistia, që është në të mirën e tyre, që dorën e ngrohtë të shoqërisë përmes amnistisë, mos ta marrin si dobësi, por ta marrin si një mesazh që t'i rikthehen një jete normale, larg çdo lloj forme veprash penale, sepse Policia e Shtetit, në komunikim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve po administrojmë të gjitha emrat e personave që janë përfitues dhe po ashtu do të kemi një monitorim një për një të secilit prej tyre në mënyrë që të parandalojmë çdo lloj përfshirjeje të tyre në vepra penale. Në rast se do ta bëjnë do të rikthehen aty ku kanë qenë.

A ka kapacitete Policia e Shtetit për të siguruar rendin, qetësinë e sigurinë për sezonin turistik që parashikohet të jenë me rreth 15 milionë turistë?

Balla: Arsyeja e dytë e këtij takimi ka të bëjë me një moment të rëndësishëm që e kthen Korçën në kryeqytetin e festës së Pashkës Ortodokse.

Javën tjetër ne kemi gjithë përgjegjësinë për të organizuar gjithçka duhet për mbarëvajtjen e kësaj feste. Dhe, jo vetëm qytetarë nga gjithë Shqipëria do t'i drejtohen Korçës por gjithashtu mos harroni që gjithmonë sa herë që kemi Pashkët, vëllezërit dhe motra tanë në Greqi, rikthehen në Shqipëri për festën.

Pas këtij komunikimi me ju bashkë me Drejtorin do të jem në Kapshticë për t'u takuar me autoritetet e pikës kufitare të të dy policive kufitare, edhe të policisë shqiptare dhe asaj greke, pikërisht për marrjen e masave në kohë, për të shmangur trafikun.

Po ashtu dua t'ju informoj se sa i përket pyetjes që bëtë, ne presim një numër përtej 14 milion turistë këtë vit. Policia e Shtetit i ka gati të gjitha masat për përballimin e këtij fluksi në rritje.

Ne do të kemi një komunikim publik ditën e hënë lidhur me masat e marra nga të gjitha  strukturat e policisë,  gjithë departamentet e policisë, drejtoritë vendore policisë, për ta përballuar sepse ajo që Shqipëria po dëshmon pas viti sa i përket turizmit mund të përmblidhet në tre dimensione kryesore:

-Shqipëria ofron një turizëm falë një natyre dhe destinacionesh të bukura turistike;

-Shqipëria është një vend mikpritës falë popullit shqiptar, i cili konsideron mikun njëlloj si "Zotin". Pra, në shtëpinë e shqiptarit, miku edhe Zoti janë në krye të tavolinës, në kuptimin figurativ të fjalës;

-Dhe e treta është - Shqipëria ofron siguri mbresëlënëse.

E vërteta është që 10 milion turistë që patëm në vitin 2023, ajo që ka bërë lajm për Shqipërinë është që nuk kemi pasur asnjë rast, të asnjë ngjarje kriminale ku të jenë përfshirë turistë.

Dhe besoj që qytetarët shqiptarë, të gjithë e kanë kuptuar që turisti është një "objekt i rëndësisë së veçantë", të cilin duhet ta respektojmë do ta mbrojmë të gjithë.

Sepse kemi kuptuar të gjithë që turistët me ardhjen e tyre në Shqipëri, përmirësojnë ekonominë e duke përmirësuar ekonominë, përmirësojmë mirëqenien e çdo qytetari shqiptar dhe më vjen mirë që ne shqiptarët po e dëshmojmë këtë dita ditës.

Në këtë aspekt mos harroni që qarku i Korçës i ka ofertat e veta turistike shumë të rëndësishme. Dikur thonin që në Korçë vije vetëm për fundjavë në dimër, por nuk është e vërtetë, ju e keni parë që vjet gjatë gjithë vitit.

Shtuar këtu edhe atë pasuri dhe faktin që Pogradeci gjithmonë e më shumë po bëhet gjithashtu një destinacion. Kjo rrit përgjegjësinë e drejtuesve të drejtorisë vendore, të cilët me gjithë agjencitë e tjera ligjzbatuese duhet të punojnë për të përmirësuar nivelin e sigurisë.

Çfarë masash duhet të merren nga policia që të kapen personat në kërkim?

Balla: Armëmbajtja pa leje mbetet për ne një prej sfidave kryesore dhe në fakt operacioni kombëtar "Sundimi i ligjit" ka pasur gjithmonë dhe ka si objekt kryesor luftën kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje.

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që jemi një vend që kemi trashëguar një përhapje shumë të madhe  të armëve pas vitit 1997, dhe edhe pse vit-pas-viti është bërë një punë e mirë kundër tij fenomeni, përsëri kemi dhe ju e keni parë.

Po t'i referoheni për shembull ngjarjeve të rënda kriminale që na kanë ndodhur edhe në Korçë gjatë vitit të kaluar, armët me të cilat janë kryer këto ngjarje kriminale, janë armë prodhim shqiptar, i tipit "kallashnikov" për shembull, që janë armë të mbetura që nga ajo kohë.

Mos harrojmë që ka edhe korridore të tjera të cilat na sjellin dhe armë të reja që përdoren kryesisht nga grupet kriminale për ngjarje të ndryshme kriminale. në këtë aspekt DVP Korçë, sikurse të gjitha DVP-të, nën drejtimin e Drejtoritë të Përgjithshëm e dinë fare mirë se përformanca e tyre do të varet shumë edhe nga suksesi i këtij operacioni kombëtar "Sundimi i ligjit".

Çfarë do të ndodhë me dosjet e vjetra, rreth 40 raste në DVP Korçë, a do të rihapen?

Balla: Ngjarjet e vjetra kriminale janë gjithmonë një prej detyrave kryesore të secilës prej DVP-ve, të cilat në bashkëpunim me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, duhet të garantojnë jo vetëm punën sa i përket hetimit dhe zbardhjes së këtyre ngjarjeve por mos harroni asnjëherë që ngjarjet e vjetra kriminale janë gjithmonë burim i ngjarjeve të reja. Për të parandaluar ngjarje të reja kriminale duhet t'u shkojmë në fund ngjarjeve të vjetra. Dhe në Korçë, ju iu referuat analizës që kemi bërë në Ersekë për të dyja qarqet, ne e dimë fare mirë që kemi ngjarje të vjetra kriminale, të cilat mund të jenë burim i ngjarjeve të reja, por detyra jonë është të vendosim para drejtësisë, të gjithë personat e përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale.

Dhe një koment për Erion Veliajn, për drejtorët dhe për dosjen e shumëpërfolur?

Balla: Ju iu referuat protestës së opozitës? Meqë iu referuat protestës së opozitës, besoj se protestuesit sot e dhanë edhe vetë përgjigjen e arsyes së protestës, kur gjatë protestës thirrjet ishin "Lironi liderin e opozitës!" Në këtë aspekt besoj që e kuptoni që këta nuk kanë hallin që i referoheni ju, por kanë hallin e vet!

/rtsh.al/