Me moton “Shqipërisë i dalim zot” dhe thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama, opozita ka protestuar për gati 3 orë para kryeministrisë këtë të premte. Tubimi ishte paqësorë, ndërsa organizimi i protestës ishte i njëjtë me atë të protestave të mëprashme, ku fillimisht folën aktivistë të PD-së dhe anëtarë të shoqërisë civile, ndërsa fjalimet u mbyllën me fjalën e kreut të PL-së, Ilir Meta dhe kreut të PD, zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha.
Në fjalën e tyre, Berisha dhe Meta akuzuan kryeministrin Edi Rama se po shkatërron vendin, ndërsa njëzëri kërkuan largimin e tij nga drejtimi i qeverisë. Teksa e konsideroi protestën “revolucion që sapo ka nisur”, Berisha theksoi se aksioni i tyre nuk do të ndalet deri në largimin e Ramës, ndërsa Meta theksoi se ndryshimi “do të vijë me çdo çmim”. Të dy liderët tehksuan se protestat do të vazhdojnë, deri në arritjen e qëllimit të vendosur prej tyre, largimin e Ramës, megjithatë nuk bënë me dije datë për tubimin e radhës.
Ndërkohë, i vetmi incident i regjistruar në protestë ishte hedhja e flankadanëve dhe shashkave në drejtim të kryeministrisë, megjithatë situata fatmirësisht nuk agravoi duke bërë që të mos ishte e nevojshme as ndërhyrja e efektivëve.
Pas përfundimit të fjalës së tij, Berisha, ndjekur nga protestuesit u larguan nga kryeministria, duke marshuar në këmbë, ndërsa u ndal në disa institucione, nga ku hodhi akuza në drejtim të qeverisë.
Ishin 1500 efektivë në terren që siguruan mbarvajtjen e protestës, ndërsa si pasojë e këtij organizimi, u bllokua qarkullimi në disa rrugë në kryeqytet, konkretisht: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D'Ark" dhe bulevardi "Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Opozita kërkon largimin e Ramës nga qeveria, duke e akuzuar atë për lidhje me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal. Sipas opozitës, Rama ka korruptuar McGonigal për të shkatërruar opozitën. Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje më shumë se njëherë këtyre akuzave, duke i hedhur poshtë ato, ndërsa ka theksuar se në akt-padinë në SHBA, nuk përmendet as emri i tij dhe as qeveria shqiptare.
Zhvillimet minutë pas minute
Ora 14:37/ Berisha para Bashkisë së Tiranës, akuza Veliajt: Hajdut dhe i korruptuar
Në marshimin në kryeqytet, kreu i PD-së, i zgjedhur nga Rithemelimi, është ndalur edhe para Bashkisë së Tiranës, ku nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Erion Veliaj, ky hajdut i shpifur, ky njeri pa mëshirë vjedh 18 euro në çdo ton plehra që digjen. Deri tani janë bërë llogaritë vetëm nga fusha e Sharrës në minierë floriri për ta, 54 milionë euro të vjedhura. Ka vendosur taksën për arsimin dhe ky hajdut, ky i pafytyrë ndërton shkolla me çmim të 10-fishtë krahasuar me çmimin që del nga manualet europiane të ndërtimit të një shkolle. Ky njeri që është turp fillon, hap tenderin te rruga John Belushi, e ndërton me fondet e Bashkisë, me buldozerët e Bashkisë dhe paratë i fut në xhepin e vet me firmë false. Ky e ka vendin në burg dhe vetëm në burg”, tha Berisha.
Ora 14:23/ Protestuesit largohen nga kryeministria, nisin marshim në këmbë, Berisha: Të hënën revolucioni para Parlamentit
Pas përfundimit të fjalës së Sali Berishës, protestuesit janë larguar nga kryeministria, ndërsa sëbashku me kreun e PD-së, zgjedhur nga Rithemelimi, kanë nisur një marshim drejt Parlamentit, Ministrisë së Brendshme, Bashkisë e selisë së PS-së. Berisha tha se të hënën “revolucioni do jetë para Parlamentit”, por nuk dha detaje se për çfarë bëhet fjalë.
Ora 14:00/ Hidhen flakadanë dhe shashka drejt kryeministrisë
Flakadanë me ngjyra dhe shashka kanë hedhur protestuesit drejt kryeministrisë, pas përfundimit të fjalës së Sali Berishës, në protestën e opozitës. Kryeministria është e rrethuar nga një kordon policor, megjithatë nuk ka reagime të këtyre të fundit.
Ora 13:56/ Berisha me premtime elektorale në protestë: Do dyfishojmë rrogat, ulim çmimin e energjisë dhe subvencionojmë transportin publik
Në prag të zgjedhjeve lokale, kreu i Partisë Demokratike, zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha nuk ngurroi të bënte një sërë premtimesh elektorale në fjalën e tij në protestën e kësaj të shtune. Teksa bëri thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama, Berisha tha se nën drejtimin e tij, do të ketë dyfishim të pagave dhe ulje të çmimit të energjisë në 7 lekë për kilovat për familjarët dhe 6 lekë për bizneset. Ai premtoi po ashtu edhe përgjysmimin e sigurimeve shoqërore, ndërsa për fermerët përmendi subvencion për çdo prodhim të tyre.
“Çdo ditë të bëjmë gjithçka për t’i shkurtuar jetën këtij regjimi, Edi Rama, regjimi i tij duhet përmbysur një ditë e më parë. Partia Demokratike nuk synon gjë tjetër, opozita nuk ka qëllim tjetër veçse të përmbysë onizmin, të çlirojë shqiptarët nga ky monizëm i egër, i shëmtuar. Ti japë përgjigje më të shpektë kësaj lëvizje lubi që po përpinë qenien e shqiptarëve. Në aktet e para pas përmbysjes së këtij regjimi do të jetë dyfishimi i rrogave dhe minimumi jetik për çdo shqiptar aq sa rroga minimale. Përgjysmimi i sigurimeve shoqërore për fermerët subvension për çdo prodhim të tyre, rikthimi i çmimit të energjisë në 7 lekë për qytetarët dhe 6 lekë për biznesin, subvencion i thellë për transportin publik, zero tolerancë ndaj bandave dhe krimit, do të jetë as tendera e koncesione pa garë. Kompani ofshore nuk do marrin pjesë kurrë në gara në Shqipëri. Do dërgohen për ndjekje penale Edi Rama dhe të gjithë firmëtarët. Asnjë fluturim me charter vetëm me kals ekonomik. PD do amnistojë çdo detyrim që krijohet në këtë periudhë që Shqipëria ka në krye të qeverisë një person i cili ndodhet në hetim ndërkombëtar”, tha Berisha.
Ora 13:40/ Berisha: Revolucioni sapo ka filluar! Rama ka fshehur tanke në tunele në Surrel, jep dorëheqjen, nuk shpëton dot!
Me tone të larta dhe akuza të forta, kreu i Partisë Demokratike, zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nga podiumi i improvizuar para kryeministrisë, Berisha e bëri Ramën përgjegjës për ato që i konsideroi “krime kushtetuese”, teksa deklaroi se aksioni i opozitës nuk do të ndalet deri në largimin e Ramës.
Sipas Berishës, Rama ka fshehur tanke nëpër tunele në Surrel, ndërsa shtoi se ai nuk mund të jetë “kurrë” kryeministër i Shqipërisë.
“Cunam popullor i revolucionit demokratik. Qëllimi i këtij revolucioni që nis sot është të mbrojmë të vërtetat. ‘Watergate’ i shekullit të 21. Edi Rama është i vetmi kryeministër i cili përmendet 14 herë në akt-padinë e çështjes ku ai korruptoi si vrasës me pagesë kundër opozitës së Shqipërisë dhe pluralizmit politikë. A ka krim antikushtetues më të shëmtuar se ky? A ka atentat më të rëndë ndaj demokracisë së një vendi se ky? Edi Rama nuk mund të jetë kurrë kryeministër i Shqipërisë. Atë nuk e shpëton asgjë, asnjë skutë asnjë gënjeshtër, asnjë marrëveshje, jep dorëheqjen dhe largohu! Edi Rama në Surrel ke futur në tunele tank të ushtrisë. Ato tanke largoi nga Surreli, gjysmat e tyre çoi në Ukrainë sepse idealet tona, mjerë ti që mendon se mund të mbrohesh në këtë mënyrë. Shqipëria shihet sot në mbarë botën si strofull e korrupsionit, krimit dhe dorgës. Njësoj si të ishte aleat i Putinit korruptoi një nga njerëzit më të çmuar në fushën e sigurisë në SHBA, duke kryer një akt armiqësor ndaj këtij vendi, për të cilin Putin, Lukashenko janë gati të të varin në qafë deklaratën e tyre më të lartë. Edi Rama, gjatë këtyre viteve në pushtet ke kryer të gjitha llojet e tradhtive, pro në kodin e lashtë të Kombit tonë, tradhtia më e ultë është tradhtia ndaj mikut që ndëshkohet në mënyrën më të rëndë. Ndaj kërkoj jep dorëheqjen, largohu aty ku ke vendin, te shtylla e turpit. Revolucioni ynë do fitojë. Revolucioni jonë nuk ndalet deri në largimin tënd”, tha Berisha.
Ora 13:20/ Meta: Historike, Rama do japë llogari, ndryshimi do të vijë me çdo çmim
Historike dhe madhështore e ka konsideruar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, protestën e kësaj të shtune të opozitës. Nga podiumi i vendosur para kryeministrisë, në fjalën e tij Meta hodhi një “lumë” akuzash në drejtim të kryeministrit Edi Rama, teksa e quajti atë “armik të provcuar të interesit komëtar”.
Kreu i PL-së theksoi se Rama do të japë llogari, teksa e bëri atë përgjegjës për një sërë shkelje të Kushtetutës, duke përmendur shkatërrimin e Parlamentit, bllokimin e inciativave dhe projektligjeve të opozitës dhe bllokimin e Komisioneve Hetimore të kërkuara prej tyre.
“Kjo protestë historike dhe madhështore është prova e dinjitetit më të lartë qytetarë dhe patriotik. Sot është ora për t’u përballur me një rezistencë pa kthim me këtë regjim të kalbur dhe armik të provuar të intersit kombëtar. Struci i rilindjes i cili është fshehur nga frika e tmerrshme që ai ka nga përballja me të vërettën me popullin dhe dëmet e pallogaritshme që i ka shkatuar. Rama e përdori pushtetin vetëm për të kapur shtetin për interesat e tij dhe mafizoëve. Afera korruptive që ka tronditur mbarë botën, Rama është edhe afera që ka derdhur kupën e zemërimit mbarëpopullorë. Rama e ka të qartë se llogaridhënies nuk i shpëton dot. Do të japë llogari deri në një për të gjitha shkeljet e Kushtetues, shkatërrimin e Parlamentit dhe bllokimin e të gjitha inciativave dhe projektligjeve të opozitës. Do japë llogari edhe për bllokimin e Komisioneve hetimore të opozitës në Kuvend sepse ai ka tmerr nga korrupsionet e tij që nuk i mbulon dot kush. Do japë llogari edhe për përjashtimin e deputetëve nga grupet e tyre. Do japë llogari edhe për pengmarrjen e integrimit europian. Ai i është kundërvënë vlerave themelore të shtetit ligjor dhe llogaridhënies. E zëvendësoi procesin e integrimit europian me procesin e korruptimit”, tha Meta.
Sipas Metës, numërimi mbrapsht për largimin e Ramës ka nisur, ndërsa tha se ndryshimi do të vijë me çdo çmim.
“Populli e ka marrë vendimin dhe nuk do lejojë më që Rama të uzurpojë zyrën e kryeministrit që e ka kthyer në një çerdhe mafioze, ku prodhohet vetëm mjerim. Numërimi mbrapsh për largimin e të keqes ka filluar. Jemi këtu për ndryshimin me çdo çmim dhe çmimin ta zgjedhë lepuri i fshehur sot”, u shpreh Meta.
Ora 12:54 Mjeku Ilir Alimehmeti: Jemi përballë një hemorragjie nga shpopullimi, të marrim fatin në dorë
Mjeku Ilir Alimehmeti, i pranishëm në protestën e opozitës, akuzoi qeverinë se ka nxitur largimin e qytetarëve nga vendi me politikat e ndërmarra. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, teksa theksoi se “ka ardhur koha të marrim fatin në dorën tonë”.
“Jemi vënë përballë një hemorragjie nga shpopullimi, një humbje, një pagjumësie, një sistemi gjyqësie shurdh e gjithë atyre sëmundjeve. Ne kemi 2 mundësi, të qëndrojmë e të përballemi apo të largohemi si gjethe të shpërndara nga stuhia. Ne kemi vendosur të përballemi e të largojmë ata që janë shkaktarët e të gjithë këtyre sëmundjeve, kemi vendosur ta marrim fatin në dorë vetë. Do i luftojmë këto viruse në çdo zyrë, në çdo institucion, rrugë e shesh se nuk ikin vetë, ikin vetëm po t’i heqim ne. Ne mund ta bëjmë këtë se në fund fare, është po e njëjta pemë që po e rreh stuhia. Trungu jonë u forcua, degët u shtuan e tani që po vjen pranvera, do vijë fitorja për Tiranën e Shqipërinë. Rroftë Shqipëria e shqiptarëve”, tha Alimehmeti.
Ora 12:40 Belind Këlliçi: Shqipëria, e gjitha në shesh! Rama, strumbullari i të gjitha të këqijave
Kandidati i Rithemelimit për Tiranën, Belind Këlliçi, ka hedhur një sërë akuzash në drejtim në kryeministrit Edi Rama, gjatë fjalës së tij në protestën e kësaj të shtune të opozitës. Teksa e konsideroi Ramën si “strumbullarin e të gjitha të këqijave”, sipas Këlliçit, kreu i qeverisë i frikësohet opozitës. Ai nuk la pa shigjetuar as kreun e Bashkisë së Tiranës, teksa deklaroi se e ka betonizuar kryeqytetin.
“Shqipëria është derdhur sot këtu në shesh. Në kryemistri është strumbullari i të gjitha të këqijave. Miliarda euro i janë marër fermerëve, spitaleve, para që u vodhën me farsa rindërtimi dhe inceneratorë imagjinarë, para q ëi jepen agjentëve të huaj. Përse paguajnë këta për të eleminuar opozitën kur e konsiderojnë veten të pathyeshëm? Sepse kanë frikë nga opozita, nga 14 maji, nga vota juaj. Kush e ka parë kryeministrin? Ku është ky VIP-i që dilte çdo ditë në televizor? E patë batërdinë me kulla që është bërë në sheshin Skënderbej?
Ju lutem kthejeni kokën dhe më thoni, a e shihni dot Sahatin e Tiranës? E zhduku me një firmë që hodhi. Kaq vlejti për kryebashkiakun simboli i Tiranës, kaq vlejti identiteti i kryeqytetit. Nuk do më bënte fare habi nëse na quan sërish “shpellarë”. Edhe sot në 103 vjetorin e Tiranës kryeqytet, zari i Ramës në Bashki po mundohet të na hedhë hi syve sikur promovon kulturën me inskenime koncerte lagjesh, ndërkohë që pak metra më tutje rrënohet Radio Tirana, në një kurs shkatërrimi pa kthim, gati për të ndjekur të gjithë vilat e tjera tradicionale të rrrugës Kont Urani, të cilat ja kanë lënë vendin kullave të betonit, e që e kanë shndërruar atë zonë të Tiranës nga një oaz mimozash, në labirinte betoni”, tha Këlliçi.
/rtsh.al/