RTSH 24 Live

Aktualitet

Operacioni i SPAK, Alibeaj: Për t’u përgëzuar, por s’duhet valëvitur flamuri i fitores! U dekonspirua nga pushtetarët e lidhur me bandat

19/05/2022

Operacioni i SPAK, Alibeaj: Për t’u përgëzuar, por s’duhet valëvitur flamuri i fitores! U dekonspirua nga pushtetarët e lidhur me bandat
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka përgëzuar operacion e SPAK dhe Policisë së Shtetit, që çoi në pranga 18 persona dhe shpalli në kërkim 14 të tjerë, ndërsa e komenton atë si një vërtetim të akuzave të tyre në lidhje me bandat.

Me një postim në Facebook, Alibeajt shkruan se të gjitha akuzat e rreshtuara nga SPAK, kanë qenë të ligjëruara publikisht nga PD.

Operacioni i sotëm i SPAK është për t’u përgëzuar. Është ndër të tjera një provë më shumë, që vërteton zyrtarisht shqetësimet sistematike të Partisë Demokratike në lidhje me bandat dhe ndikimin e tyre në Elbasan, Tiranë e kudo.  Aksioni i sotëm tregon shumë mirë se si është operuar në zgjedhjet e vitit 2021 ku Elbasani dhe Tirana ishte qendra e operimit e grupeve kriminale që ndikuan në zgjedhjet e vitit të shkuar, siç provoi edhe qëndrimi i SHBA.  Të gjitha akuzat e rreshtuara nga shefi i SPAK kanë qenë të formuluara dhe ligjëruara publikisht nga Partia Demokratike vite më parë ndërsa përballej me bandat e Elbasanit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, shkruan Alibeaj.

Megjithatë sipas Alibeajt, nuk duhet valvitur flamuri i fitores, teksa akuzon se operacioni u dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët e lidhur me bandat dhe se për këtë arsye policia nuk mundi të arrestojë të gjithë personat e akuzuar.

Mirëpo ndonëse për vite me radhë drejtësia dhe policia kanë bërë veshin shurdhër edhe kësaj radhe fatkeqësisht policia nuk mundi të prangoste të gjithë personat për të cilët qe prerë një mandat arresti. Kjo për faktin banal se operacioni u dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët e lidhur me bandat.  Prandaj sot nuk duhet të valëvisim flamurin e fitores përderisa nuk mund të kemi një të tillë derisa anëtarët e grupeve të strukturuara kriminale të jenë të arrestuar dhe dërguar përpara drejtësisë. Nuk mund të shpallim fitore derisa të kemi një hetim të plotë të akuzave dhe kallëzimeve penale në lidhje me zgjedhjet dhe blerjen e votave nga këto grupe kriminale që janë denoncuar zyrtarisht nga Partia Demokratike”, akuzon Alibeaj.

Demokrati shton mes të tjerash se SPAK duhet mbështetur dhe nxitur të veprojë duke çuar më tej arrestimet dhe konfiskimet ndaj grupeve të strukturuara kriminale.

Kështu që SPAK jo vetëm duhet mbështetur por edhe duhet nxitur të veprojë duke çuar më tej arrestimet, procedimet dhe gjithashtu konfiskimet ndaj këtyre grupeve të strukturuara kriminale dhe jo vetëm. Ka ardhur koha që pandëshkueshmëria të sulmohet dhe shqiptarët të shohin drejtësinë në veprim”, përfundon Alibeaj postimin e tij.

SPAK ka goditur 8 grupe kriminale, ku 3 ishin në Tiranë, 1 në Durrës dhe 4 në Elbasan. Në këtë operacion janë lëshuar 32 urdhër-arreste, nga të cilat 18 janë ekzekutuar, ndërsa priten të arrestuar të tjerë që lidhen kryesish me kokat e këtyre grupeve. Kreu i SPAK, Arben Kraja tha se të arrestuarit paguanin vrasës që të eliminonin kundërshtarët e tyre.

/rtsh.al/